Lajme
Liberalët e Carney-t i fitojnë zgjedhjet e ngushta në Kanada
Demokracia
08:23 | 29 Prill 2025

Share:

Partia Liberale e kryeministrit kanadez, Mark Carney, mbetën në pushtet në zgjedhjet e së hënës, por nuk arritën që të sigurojnë qeveri të shumicës, të cilën ai e kishte dëshiruar në mënyrë që të ndihmohej gjatë negocimit të taksave me presidentin amerikan, Donald Trump.

Udhëheqësi i konservatorëve, Pierre Poilievre, e pranoi humbjen dhe tha se partia e tij do ta mbajë përgjegjëse qeverinë e pakicës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Liberalët po prinin ose kishin fituar në 164 distrikte zgjedhore, të njohura si ulëse, të pasuar nga konservatorët me 147 të tilla, ndërsa po vazhdonte numërimi i votave.

Liberalët duhet të fitojnë 172 ulëse në dhomën e ulët të Kuvendit për ta siguruar shumicën, e cila do t’u mundësonte që të qeverisnin pa mbështetjen e një partie më të vogël.

Në një fjalim para mbështetësve, Carney tha: “Presidenti Trump po mundohet të na thyejë në mënyrë që Amerika (ShBA-ja) të mund të na posedojë, kjo nuk do të ndodhë kurrë.”

Ai shtoi se ka paralajmëruar me muaj që Amerikan “e dëshiron tokën tonë, burimet tona, vendin tonë”. Turma shpërtheu në brohoritje, duke thënë “kurrë”.

Carney ka premtuar qasje të ashpër ndaj Uashingtonit në lidhje me taksat amerikane të importit dhe ka thënë se Kanadaja duhet të shpenzojë miliarda dollarë për ta zvogëluar varësinë nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveritë e pakicës në Kanada rrallë qëndrojnë në pushtet për më gjatë se dy vjet e gjysmë.

Të ngjashme
Lajme • 29 Prill 2025