Lajme
Lëvizjet më të bujshme të deputetëve nga njëra parti në tjetrën ndër vite
Demokracia
14:19 | 09 Shtator 2022

Share:

Mozaiku në sallën e Kuvendit të Kosovës ka ndryshuar pas lëvizjes së deputetes Doarsa Kica-Xhelili. Ndërsa lëvizjet e deputetëve nga njëra parti në tjetrën, në skenën politike kosovare nuk janë të pazakonshme.

Që nga periudha e pasluftës kur janë mbajtur zgjedhjet e para në Kosovë, skena politike ka ndryshuar shumë.

Janë formuar parti të reja e janë shuar disa më të vjetra, derisa disa të tjera kanë pasur një jetëgjatësi të shkurtër politike duke mbijetuar për vetëm një legjislaturë.

Disa nga partitë më të mëdha kanë pasur përçarje e ndarje gjatë viteve, derisa asnjëherë nuk janë ndalur transferimet e deputetëve nga njëra parti në tjetrën, raporton Telegrafi.

Të enjten është zyrtarizuar kalimi i deputetes Doarsa Kica-Xhelili në LDK. Ajo deri më tani aktivitetin politik e kishte zhvilluar në kuadër të grupit parlamentar të LVV-së si pjesë e Listës Guxo.

Mirëpo lëvizje edhe më e bujshme politike ishte ajo e Adelina Graincës ditën kur shumicës parlamentare i nevojitej kuorumi për zgjedhjen e Presidentes. Grainca kishte braktisur PDK-në për të kaluar në LVV.

Në seancën e zgjedhjes së Presidentes, mori pjesë edhe deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj. Pavarësisht se ajo ende është pjesë e grupit parlamentar të AAK-së, rrugët me këtë parti ajo i ka ndarë.

Legjislatura e kaluar ishte më e qeta si i përket lëvizjes së deputetëve, por edhe më e shkurta.

Gjatë kohës sa ka zgjatur ajo 26.12.2019 – 06.01.2021 ka pasur vetëm një lëvizje.

Deputeti Haxhi Shala kishte braktisur NISMËN për t’iu bashkuara Grupit Parlamentar të AAK-së.

Kujtojmë, vota e Haxhi Shalës ishte e vendimtare për formimin e qeverisë së Avdullah Hotit.

Mirëpo Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës ishte shumë e trazuar sa i përket lëvizjes së deputetëve.

Qysh në fillim të kësaj legjislature Lëvizja Vetëvendosje ishte ndarë në dysh. 12 deputetët e larguar nga LVV formuan Partinë Socialdemokrate.

Nga ai moment Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Besa Baftiu, Faton Topalli, Salih Salihu, Frashër Krasniqi e Shqipe Pantina vepruan në kuadër të grupit tjetër parlamentar.

Por edhe grupi parlamentar i LDK-së gjatë kësaj legjislature pësoi krisje të madhe.

Nga 29 deputetët që kishin marrë pas zgjedhjeve, 4 deputetë ishin nga lista e AKR-së dhe dy nga Alternativa.

AKR iu bashkua koalicionit PAN, Behgjet Pacolli kaloi në Qeveri derisa deputetët Labinot Tahiri dhe Islam Pacolli u larguan nga grupi i LDK-së dhe vepruan aktivitetin në Kuvend si deputet pa grup parlamentar.

Edhe Mimoza Kusari e Ilir Deda që u larguan nga grupi i LDK-së dhe vepruan si deputetë të lirë në Kuvend.

Ndërsa deputeti tjetër nga lista e AKR-së, Korab Sejdiu mbeti si deputet i LDK-së duke u distancuar nga partia e Pacollit.

Edhe në periudhën e pestë Legjislative (17.07.2014 – 10.05.2017) pati lëvizje të bujshme të deputetëve.

Donika Kadaj-Bujupi kishte kaluar nga AAK në LVV. Kadaj u afrua shumë me LVV-në pas protestave opozitare të asaj kohe.

Nga AAK ishte larguar edhe Blerim Shala për të vepruar si deputet pa grup parlamentar.

Ndër lëvizjet interesante ishte edhe largimi i Ilir Dedës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ky divorc paqësor ishte njoftuar përmes një konference për shtyp.

Në këtë legjislaturë nga grupi i PDK-së ishin larguar deputetja Margarita Kadriu dhe Gëzim Kelmendi që ishte deputet nga lista e Partisë së Drejtësisë.

Nga PDK ishte larguar edhe deputeti Shaip Muja, por që i njëjti kishte qëndruar në grup parlamentar deri në fund të legjislaturës.

Edhe në Legjislaturën e katërt (12.12.2010 – 07.05.2014) u shënuan disa lëvizje të deputetëve.

Alma Lama kaloi nga Vetëvendosje në LDK, derisa për LDK-në Muhamet Mustafa braktisi AKR-në.

Nga grupi i LVV-së u larguan edhe dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta e Aurora Bakalli.

Nijazi Idrizi nga PDK kishte kaluar në AAK.

Po në këtë legjislaturë nga grupi i AKR-së u largua Amir Ahmeti i Partisë së Drejtësisë.

Edhe në Legjislaturën e Pavarësisë (13.12.2007 – 03.11.2010) pati hatërmbetje e transferime të deputetëve nga një parti në tjetrën.

Një lëvizje e bujshme ishte ajo e Haki Shatrit, i cili braktisi LDK-në duke kaluar në AAK.

Po në këtë legjislaturë filluan pakënaqësitë edhe në PDK.

Zafir Berisha, braktisi grupin parlamentar të PDK-së për të ndarë rrugët me këtë parti përgjithmonë.

PDK-në në këtë legjislaturë e braktisën edhe Emrush Xhemajli e Naim Rrustemi.

Po në këtë legjislaturë, Bujar Dugolli braktisi AAK-në, derisa Driton Tali AKR-në.

Të ngjashme