Lajme
LETRA| SBASHK-u e kishte njoftuar ministren Nagavci për grevën e së enjtes
Demokracia
22:27 | 09 Maj 2022

Share:

Sindikata e Arsimit ka marrë vendim që të enjten në të gjitha nivelet e arsimit të mbahet grevë një-orëshe. 

Por, para vendimit për mbajtjen e kësaj greve, SBASHK-u e ka njoftuar me një letër edhe Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, shkruan Demokracia.com.

DOKUMENT| SBASHK-u nis grevat, paralajmëron veprime radikale

SBASHK në këtë letër ia ka përsëritur ministres Nagavci kërkesat e mësimdhënësve kosovarë.

Demokracia.com ka siguruar letrën që i ka shkuar ministres Nagavci më datën 5 maj.

“Duke u mbështetur në nenin 5,6,7,8 të Ligjit për Greva Nr.03/L-200,poashtu duke respektuar nenin 16,17 të po këtij Ligji, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, si organi më i lartë mes dy Kongreseve, në mbledhjen e mbajtur më dt.28.04.2022 duke analizuar situatën aktuale e duke vlerësuar se Qeveria, edhe pas premtimeve se do të ketë dialog përmbajtjesor, nuk bëri as edhe një hap konkret, vendosi të mbaj Grevë paralajmëruese një-orëshe më datën 12.05.2022 në të gjithë sektorin e arsimit, që nga çerdhet e deri edhe në universitete, duke mos përjashtuar edhe veprime më radikale pas kësaj date nëse Qeveria nuk i qaset drejt dialogut me SBASHK-un lidhur me kërkesat që po i përsërisim edhe në këtë shkresë”, thuhet në letrën e SBASHK-ut të siguruar nga Demokracia.com.

Këto janë kërkesat e SBASHK-ut drejtuar Qeverisë së Kosovës:

1. Vazhdimi i pagesës prej 100€ për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së.

2. Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor, Plotësim-ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, Ligji nr.04/L-131, sidomos të ndryshohet te neni 8, paragrafi 1 e nën paragrafët 1.2 dhe 1.3, që thirret në Ligjin e sigurisë pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para 01.01.1999 3. Mos formimi i komisionit, i cili do të ulet ne tavolinën e negocimit me SBASHK-un që të gjej zgjidhje për kërkesat drejtuar Qeverisë së Kosovës .

Po ashtu, SBASHK ka emëruar Këshillin Grevist në nivel qendror, që kryesohet nga kryetari Rrahman Jasharaj dhe në përbërjen e të cilit janë edhe nënkryetarja Vjollca Shala dhe anëtarët e kryesisë: Bardh Bardhi, Hanife Salihu dhe Blerim Mehmeti.

SBASHK ka kërkuar nga anëtarësia që të emërohen Këshillat Greviste në të gjitha shoqatat sindikale dhe të kryesohen nga kryetarët e shoqatave.

Gjatë grevës, grevistët do të qëndrojnë në sallën e mësimdhënësve apo në një ambient tjetër në kuadër të institucionit arsimor. /Demokracia.com/

Të ngjashme