Lajme
Letra e Serbisë kundër “Ohrit”, diplomati evropian: S’do të kalojë aq lehtë në BE
Demokracia
09:21 | 16 Dhjetor 2023

Share:

Një letër e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në të cilën ajo konfirmon se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, paraqet herën e parë që ky shtet me shkrim deklaron se nuk do t’i zbatojë disa nene të kësaj marrëveshjeje.

Edhe më parë zyrtarët nga Serbia, përfshirë edhe presidentin Aleksandar Vuçiq, kanë deklaruar publikisht se nuk do t’i zbatojnë ato pjesë të marrëveshjes, të cilat i konsiderojnë si “shkelje të interesave kombëtare të Serbisë”. Mirëpo, zyrtarët nga Brukseli të përfshirë në dialog, i kanë injoruar ato duke konsideruar si “deklarata për konsum të brendshëm”. Ata shpreheshin se, “nuk ka rëndësi çfarë thonë publikisht, por se presidenti Vuçiq do t’i zbatojë të gjitha pikat” siç ka premtuar në takimet me ta në kuadër të dialogut.

Por, kësaj radhe edhe për ta, një shprehje e qëndrimeve me shkrim nga ana e kryeministres së Serbisë, ka qenë një befasi.

Pas letrës në fjalë, zyrtarët e BE-së kanë pranuar se tash kjo paraqet “një situatë shumë më serioze në procesin e dialogut” dhe kanë pranuar se kjo gjë ka shkaktuar një dozë të madhe të shqetësimit në BE.

“Ndoshta për Serbinë kjo mund të duket si diçka e dobishme për shkak të zgjedhjeve më 17 dhjetor. Por, Serbia duhet ta dijë se vjen edhe 18 dhjetori dhe ditët në vijim, e obligimet mbeten. Kjo nuk do të kalojë aq lehtë te vendet anëtare të BE-së”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i lartë evropian.

Të ngjashme