Lajme
Letra e Serbisë kundër Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Haradinaj: E inkurajuar për shkak të gabimeve të Kurtit
Demokracia
11:14 | 23 Maj 2024

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka folur për letrën e dërguar nga Serbia në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Këtë letër, Haradinaj e sheh si veprim për “shkak të gabimeve të Kosovës”.

Në këtë letër Serbia pretendon se dhënia e statusit për Kosovën do të ishte vendim i dëmshëm si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor.

“Serbia është e inkurajuar prej gabimeve të Kosovës, prej gabimeve të Kurtit dhe ajo shkon në një hap më tutje, pra më shumë minuse t’i quaj kështu sepse një letër e tillë sepse Serbia me siguri ka përgatit, nuk sjellë letra e para, pra me siguri ata gjatë gjithë kohës kanë dërguar raporte gjoja se Kosova vepron kundër të drejtave të komunitetit serb apo edhe zhvillimeve tjera, pra e kemi paralajmëruar me kohë thellimin e humbjeve për Kosovën”, thotë Haradinaj.

Ndërsa mundësinë që të mos dështojë ky proces si në rastin e Këshillit të Evropës, Haradinaj e sheh të rëndësishme marrëdhëniet ndër fqinjësore.“Ne nuk kemi çështje tani për tu diskutuar sepse nuk ka një proces kontraktual por p.sh ka vende skeptike dhe jo njohëse do ta shfrytëzojnë edhe pozicionin e Serbisë për shkak se ju e dini se për anëtarësim në NATO ka rendësi marrëdhëniet nder fqinjësore sikurse për marrëveshje tjera”, thotë Haradinaj, raporton EO.

Në muajin mars të këtij viti, u bë e ditur se Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, por ky vendim pritet të zyrtarizohet në fund të këtij muaji, atëherë edhe kur do të mbahet sesioni pranveror i kësaj asambleje.

Aplikimi i Republikës së Kosovës për të qenë anëtar i asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të jetë në agjendë të takimit që ky institucion do ta mbajë nga 24 deri më 27 maj në Sofje të Bullgarisë.

Një gjë e tillë është konfirmuar në agjendën e publikuar nga ky institucion.

Instituti Ndërkombëtar për Sigurinë me qendër në Beograd përmes një letre i ka bërë thirrje Asamblesë Parlamentare të NATO-s që të mos miratojë statusin e Kosovës si një anëtare e asociuar e organizatës në seancën që pritet të mbahet këto ditë.

Në këtë letër Serbia pretendon se dhënia e statusit për Kosovën do të ishte vendim i dëmshëm.

Të ngjashme