Lajme
Letra e politikanëve të huaj që kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë – si e shohin analistët?
Demokracia
10:11 | 09 Gusht 2023

Share:

Letra e politikanëve të huaj drejtuar SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe ku kërkohet qasje më e ashpër ndaj Serbisë është mirëpritur në Kosovë.

Qeveria dhe Presidenca mirëpritën letrën teksa falënderuan politikanët e huaj për interesimin e treguar mbi Kosovën.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka falënderuar të gjithë politikanët që nënshkruan letrën.

“Falënderoj të gjithë nënshkruesit për mbështetjen e tyre të fuqishme për sovranitetin dhe demokracinë e Kosovës. Së bashku, ne do të ruajmë vlerat tona të përbashkëta dhe do të forcojmë demokracinë”, ka pohuar Osmani.

Në letrën e shkruar nga eksperti i Politikës së Jashtme të Bundestagut, Michael Roth, ai i Senatit të SHBA, Bob Menendez dhe kryetarët e komitetit të punëve të jashtme Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, drejtuar SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe thuhet se Perëndimi po ka qasje të butë ndaj Beogradit.

Lidhur me këtë çështje për Telegrafin është deklaruar edhe njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi.

Ai e cilësoi si pozitive letrën ku kërkohet qasje më e ashpër ndaj Serbisë.

“Letra e politikanëve të huaj është jashtëzakonisht shumë pozitive dhe është të themi një pikë kthese që të ndikojë në politikën e Bashkimit Evropian, dhe ndaj Serbisë të kenë qasje më të ashpër. Unë shpresoj që vendet e Bashkimi Evropian të zgjohen nga ai gjumi dimëror, sepse lufta në Ukrainë e ka ndryshuar gjeopolitikën në kontinentin e Evropës dhe po besoj që BE dhe pesë vendet duhet ta njohin Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas Arifit, pesë shtetet e BE-së duhet njohur pavarësinë e Kosovës, pasi vetëm kështu mund të ketë stabilitet në Ballkan.

“Mendoj që pa njohjen e Kosovës nuk do të këtë Ballkan të qetë dhe as dialogu Kosovë – Serbi nuk do të ketë rezultat pozitiv, në një formë apo tjetër BE me vetëdije apo pa, po e minion rrugën e integrimeve evropiane duke mos e avancuar Kosovën në mënyrë të barabartë me të gjitha vendeve të Ballkanit. Mosnjohja e Kosovës nga BE do t’i shkaktojë më shumë dhimbje Evropës por edhe Ballkanit, sepse Ballkani nuk po mund të avancojë për shkak të politikave destruktive të Serbisë”, deklaroi ai.

Arifi shtoi tutje se “nëse Perëndimi nuk është i gatshëm të jetë më i ashpër ndaj Serbisë, duhet të jetë më i gatshëm dhe më i hapur ndaj Kosovës, pra kështu e shoh letrën që të ndryshojë politika e BE-së ndaj Kosovës”.

Për Telegrafin, Arifi tha se tashmë BE duhet larguar edhe sanksionet që kishte vendosur ndaj Kosovës për shkak të zhvillimeve në veri.

“Qeveria ka pranuar kushtet e BE-së, sanksionet duhet të largohen për t’i dhënë më shumë frymë dialogut. Përveç sanksioneve duhet të jetë më e hapur dhe të jep një rrugëtim euroatlantik”, tha ndër tjera Arfi.

Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu një ditë më parë ka thënë për Telegrafin se mirëpresin letrën dhe se mbesin të përkushtuar për deeskalim të plotë të situatës në veri.

“Ne mbesim të përkushtuar për deeskalim të plotë të situatës në veri, vigjilent ndaj çfarëdo potenciali për ri-eskalim, dhe besnik ndaj ligjshmërisë dhe kushtetutshmëri.

Në letrën e politikanët të vendeve të ndryshme perëndimor drejtuar SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe thuhet se Perëndimi po ka qasje të butë ndaj Beogradit.

“Kosova është përballur me pasoja të rëndësishme pas përpjekjeve të kryetarëve të komunave për të hyrë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimin. Por mungesa e presionit të ushtruar ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj KFOR-it, nxjerr në pah mungesën aktuale të paanshmërisë në adresimin e pikave të tilla të ndezjes”, thuhet në letrën e ekspertëve të politikës së jashtme drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly.

Politikanët ndërkombëtarë kanë kërkuar që të kthehet ekuilibri dhe proporcionaliteti në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë.

Të ngjashme