Logjika të lë në lloç kur e lexon çka ka shkruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për Lulzim Hetemin e (vetë)detyruar për të qëndruar brenda Komunës së Leposaviqit – gjë për çka me siguri historia do t’ia bëjë kapitullin e saj të komedisë për tejkalimin e kufijve të mendjes së shëndosh.
Kurti, këtë fundvit, bashkë me kryetarin legal por jo legjitim të Mitrovicës së Veriut, kanë vizituar Hetemin, të cilin – mos kërkoni logjikë këtu – e ka quajtur “kryetari më i rëndësishëm, jo vetëm në Kosovës, jo vetëm i komunës”.
Këtu, letërsia do të zhgrehej në vaj ndaj frazave në të cilat Kurti e ka provuar dorën t’i shkruajë.
Megjithatë, ja shkrimi i plotë i Kurtit:
Para tri ditëve, kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, doli nga zyra e tij dhe e vizitoi kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiqin. E ky ia ktheu sonte vizitën në shtëpinë e Lulzimit ku ishin mbledhur familja e gjerë e tij. Me Erdenin ishim edhe ne: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe, unë.
Kryetari Lulzim na tregoi për punët e mira që po bëhen në komunën e Leposaviqit, për rregullin e vendosur, planet zhvillimore dhe korrektësinë e praktikuar. Na njoftoi për aq shumë palë që i pret gjatë ditës, përditë, çdo orë. Ua dëgjon me vëmendje ankesat e kërkesat dhe i shqyrton ato me seriozitet e i trajton me shpejtësi. Serbishtja e tij nuk është aq e mirë, ashtu qysh nuk është e mirë as shqipja e serbëve në Leposaviq, mirëpo shumë mirë po merren vesh sepse e kanë qëllimin e mirë, interesimin e njëmendtë dhe interesin e përbashkët për mirëqenie dhe të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim. Lulzim Hetemi është udhëheqës i drejtë dhe punëtor.
Në festën e Vitit të Ri në gjirin familjar ishin edhe Kosovarja, vajza e Kryetarit, dhe Albaniku, të dy mbesë e nip të dëshmorës Fatime Hetemi, e që pardje u bënë pjesë e 325 rekrutëve të rinj të cilët iu bashkuan ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pas kësaj vizite sonte në familjen e Lulzim Hetemit, ne u kthyem në Prishtinë për të vazhduar festën, ndërkaq ai u nis për në zyrën e tij në Leposaviq për të punuar dhe festuar me disa kolegë të tij si dhe me policët tanë e ushtarët e KFOR-it amerikan.
Viti 2023 ishte fort i veçantë për Lulzim Hetemin: nuk ia ka marrë mendja që do të bëhet kryetar komune e mandej aq më pak që do ta pres ndërrimin e motmoteve si kryetar komune. Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, është kryetari më i rëndësishëm, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm i komunës.
Gëzuar 2024!