Futbollisti i Kosovës, Amir Rrahmani nuk mundi t’i ndihmojë kombëtares në ndeshjet e marsit, duke bërë që ai një ditë para ndeshjes me Lituaninë të largohet nga kampi stërvitor për shkak të një lëndimi, shkruan Demokracia.com.
Mbrojtësi i Napolit u largua për shkak të një dëmtimi në muskul, duke i humbur kështu dy ndeshjet kualifikuese me Suedinë e Spanjën.
“Il Mattino” raporton se ish-mbrojtësi i Hellas Veronas është dërguar përsëri në Napoli për të vazhduar programin e rimëkëmbjes në klubin e tij dhe nuk dihet sa do të zgjasë rikuperimi i tij. “Ai i zhgënjyer u largua nga ekipi kombëtar”, thuhet në raportin e mediave italiane.
Gjithsesi, Demokracia.com, mëson se Rrahmani ishte mbrëmë i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” për ta përcjellë ndeshjen e Kosovës ndaj Lituanisë, ndërsa sot ka marrë rrugë drejt Italisë.
Rrahmani ka luajtur vetëm 13 ndeshje që nga transferimi i tij në “ Diego Armando Maradona” verën e kaluar dhe nëntë prej tyre janë në Serie A. /Demokracia.com