Lajme
Lëkundja e themeleve të Evropës nga Putini
Demokracia
08:19 | 02 Janar 2024

Share:

Putinit i duhet të rezistojë edhe 12 muaj të tjerë. Edhe nëse Donald Trumpi nuk zgjidhet – ish-presidenti amerikan nuk e fsheh admirimin e tij për tiranin rus, pasi arriti deri në pikën sa të deklaronte se i besonte Putinit përpara shërbimeve të sigurisë amerikane.

Duhet të flasim për Ukrainën. Kur krejt bota ka kthyer vëmendjen te lufta mes Izraelit dhe Hamasit, lëkundjet e forta kanë tronditur tokën e zezë dhe të pasur. Kundërofensiva e Ukrainës ka dështuar – ose sipas fjalëve të Volodymyr Zelenskyyt: “nuk ka prodhuar rezultatet e dëshiruara”.Teksa ukrainasit e lodhur po tërhiqeshin shkaku i sulmeve të Rusisë dhe fushave të minuara, iniciativa tash është në anën e pushtuesve. Rusia po avancon nëpërmjet mbetjeve skeletore të asaj që dikur ishte Marinka, qytet në Donetsk. Avancimi ndoshta është më shumë i rëndësisë psikologjike sesa strategjike. Raketat po godasin përsëri Kievin. Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, nëpërmjet BBC-së ka tërhequr vërejtjen se shteti i saj është në “rrezik vdekjeprurës”.

Tani ukrainasit e kanë radhën që të gërmojnë, të bëjnë përpjekje për të mbajtur atë që kanë. Si në vitin 1914, një vijë e fortifikuar është goxha e gjatë, nga delta e lumit Dneiper e deri te kufiri me Rusinë. Dhe si atëherë, teknologjia ushtarake favorizon mbrojtësit, pra ato avancimet e vogla kushtojnë shumë.

Lufta e Parë Botërore mori fund për shkak se aleatët kishin fuqi më të madhe ushtarake. Brutalisht, ata ishin në gjendje, sidomos pasi Amerika u mobilizua plotësisht nga fillimi i vitit 1918, për të vendosur më shumë burra në vijën e frontit sesa fuqitë qendrore.

Kësaj herë, përparësia demografike është me Rusinë që ka trefish më shumë popullsi sesa Ukraina. Rusia një të tretën e prodhimit civil e ka përdorur për armatim dhe tani mund të jetë afër prodhimit të dronëve – pajisja moderne e barabartë me telat me gjemba dhe mitralozave që i ofroi palës mbrojtëse përparësi në baltën e Flanders.

Kostot afatgjata për popullin rus të këtij kalimi në ekonomi të kohës së luftës janë të tmerrshme. Vladimir Putini i ka dënuar muzhikët e tij të shumëvuajtur me vite të tëra varfërie dhe urie. Por, për momentin, ia ka dalë mbanë. Rusia e ka kaluar dimrin pa avancimin e forcave ukrainase.

Të gjithë nxitemi ndaj paragjykimeve, dhe pa dyshim se do të ketë shkrime për vështirësitë ndaj mbrojtësve të pozicionuar mirë. Mirëpo ky ngërç nuk ishte aspak i parashikueshëm kur nisi kundërofensiva në muajin qershor.

Unë isha një nga ata që prisnin që Ukraina të depërtonte në Detin Azov, lëvizje që mund t’i kishte dhënë fund luftës. Gjatë vitit 2022, Ukraina kishte treguar se Rusia nuk mund të furnizonte Krimenë përmes ngushticës së Kerçit. Shkatërrimi e urës tokësore do ta kishte lënë të bllokuar garnizonin rus në gadishull. Ukraina mund të kishte shkëputur energjinë elektrike dhe ushqimin dhe do të hapej dritarja për bisedime.

Pse gabova? Kisha folur jo vetëm me ukrainas, por edhe me vëzhgues ushtarakë britanikë me njohuri direkte për fushën e betejës. Ata kishin parë avancimet e jashtëzakonshme të Ukrainës në Kharkiv dhe Kherson në vitin 2022 – avancime që e kishin trimëruar Perëndimin të ofronte llojet e armatimeve që më parë nuk kishin dërguar me qëllim që dy qytetet të mos binin në duart e armikut.

Ukraina tani kishte raketa me rreze të gjatë veprimi, pajisje për çminim dhe tanke moderne. Në të njëjtën kohë, kryengritja e Prigozhinit kishte treguar se sa e butë ishte Rusia pas guaskës së fortë të vijës së saj të frontit.

Por pushtuesit kishin mësuar nga gabimet e tyre të mëparshme. Teksa Ukraina nxitoi për të stërvitur njerëzit e saj se si të përdorin armët e tyre të reja gjatë pranverës që shkoi, Rusia vendosi në çdo milimetër mina, ndërtoi fortifikime, gërmoi llogore dhe grumbulloi dronët.

Putinit i duhet të rezistojë edhe 12 muaj të tjerë. Edhe nëse Donald Trumpi nuk zgjidhet – ish-presidenti amerikan nuk e fsheh admirimin e tij për tiranin rus, pasi arriti deri në pikën sa të deklaronte se i besonte Putinit përpara shërbimeve të sigurisë amerikane. Edhe kongresistët republikanë janë kthyer kundër luftës. Në muajin dhjetor ata bllokuan paketën e ndihmës prej 88 miliardë dollarëve të presidentit Biden për Ukrainën.

Shqetësimi i tyre supozohet se është financiar, por motivi më i madh mund të jetë mospëlqimi i tyre partiak ndaj Bidenit, i njëjti impuls poshtërues që bëri që një gjeneratë e mëparshme kongresistësh republikanë të kundërshtonin luftën e Harry Trumanit në Kore. Për krahun e përkrahësve të Trumpit ekziston gjithashtu pakënaqësia e vazhdueshme për rolin kryesor që Ukraina luajti në dramën e shkarkimit të Trumpit.

Nuk mund ta keni humbur pranverën në hapat e Putinit. Për një kohë të gjatë, ai ishte shumë i frikësuar që të dilte përtej kufijve të Rusisë. Përveç urdhërarrestit ndërkombëtar, ai kishte frikë të bazuar nga atentatet. Lëvizjet e tij jashtë shtetit ishin në ish-shtetet sovjetike dhe dy diktatura miqësore: Irani dhe Kina.

Por, gjatë dhjetorit vizitoi dy diktatura neutrale – Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Pamjet tregojnë pa dyshim se ishte personalisht despoti, jo sozia e tij. Çfarë i dha atij besim për të udhëtuar në vende që kanë lidhje sigurie me Perëndimin? A është e mundur që të jetë arritur një marrëveshje tentative? A mund t’u kërkohet sauditëve që ta cilësojnë atë, në mënyrë diskrete si prelud i mundshëm për bisedimet e paqes?

Nëse është kështu, ne rrezikojmë katastrofë të nivelit të Suezit për demokracitë perëndimore. Çdo marrëveshje që shpërblen agresionin rus do t’i sinjalizojë pjesës tjetër të botës se NATO-ja, me gjithë pasurinë kolektive dhe armatimin, nuk mund të ketë sukses në qëllimin minimal për të shpëtuar një shtet që po e mbronin dy anëtaret e saj më të fuqishme: SHBA-ja dhe Britania e Madhe.

Rasti i intervenimit në Ukrainë nuk është se ajo është demokraci liberale. Sigurisht, ajo është shumë më liberale se Rusia, por nuk i plotëson standardet tona. Partitë rusofile janë ndaluar dhe ekziston shqetësimi se përndjekja mund të shtrihet edhe te politikanët e opozitës properëndimore. Në mesdhjetor isha në një takim të partive globale të qendrës së djathtë, në të cilën duhej të fliste Petro Poroshenko, ish-presidenti ukrainas. Në minutën e fundit, atij dhe dy deputetëve të tij iu ndalua të largoheshin nga Ukraina – dhe megjithëse Poroshenko në mënyrë patriotike nuk pranoi të bënte bujë, kjo më la të pyes të veten, jo për herë të parë, pse Zelenskyy refuzon të tërheqë partitë e tjera në koalicion të kohës së luftës.

Atëherë përsëri, Polonia po drejtohej nga qeveria autoritare në vitin 1939. Kjo nuk e ndryshoi faktin që u sulmua pa provokim pasi ne kishim garantuar pavarësinë e saj – ashtu siç garantuam pavarësinë e Ukrainës në 1994 kur dorëzoi arsenalin e saj bërthamor.

Teksa ne kësaj here nuk jemi në luftë, jemi aq të përfshirë në kauzën ukrainase saqë fitorja ruse – dhe marrja e territorit ukrainas është fitore ruse, paraqiteni si të doni – do të nënkuptonte humbje katastrofike të prestigjit për Perëndimin dhe idetë që lidhen me të: liria personale, demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Konfliktet do të përhapen ndërsa regjimet që nuk u kujdesën kurrë për vlerat liberale në radhë të parë kuptojnë se nuk ka më një polic në qoshe. Pretendimet skandaloze të Venezuelës kundër Guajanas së Commonwealthit janë vetëm fillimi i këtij procesi.

“Perëndimi e fitoi botën jo me epërsinë e ideve, vlerave apo fesë së tij… por më tepër me epërsinë në zbatimin e dhunës së organizuar”, shkroi Samuel Huntington. “Perëndimorët shpesh e harrojnë këtë fakt; joperëndimorët nuk harrojnë”.

Por kjo nuk ka përfunduar ende. Ukraina e ka dëbuar Rusinë nga pjesa perëndimore e Deti i Zi, i cili është sërish i hapur për transportin ndërkombëtar. Ne duhet të jemi vigjilentë ndaj tendencës që vuri në dukje George Orwell gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku nga intelektualët mbi-interpretojnë çdo zhvillim të ri ushtarak – një tendencë, besonte ai, që nuk ndahej nga njerëzit e zakonshëm. Ashtu siç pati pesimizëm të tepruar menjëherë pas pushtimit të Rusisë dhe eufori të tepruar kur Kherson u rimor, kështu nuk duhet të nxjerrim shumë nga kjo pengesë.

Është ende e mundur të imagjinohet një marrëveshje paqeje që nuk shpërblen haptazi agresionin. Ndoshta rajonet lindore mund të fitojnë autonomi nën sovranitetin e lirë të Ukrainës; ndoshta një referendum i mbikëqyrur ndërkombëtarisht mund të mbahet në një Krime të çmilitarizuar.

Por nëse Rusia përfundon duke aneksuar tokën me forcë, nuk është vetëm Perëndimi që do të humbasë; është i gjithë rendi ndërkombëtar i pasvitit 1945.

Bota po bëhet më e ftohtë. Netët po afrohen.

Daniel Hannan është autor dhe kolumnist. Ai është ish-anëtar i Parlamentit Evropian dhe këshilltar i Bordit të Tregtisë, shkruan për “Conservative Home” dhe “The Washington Examiner”.

Të ngjashme