Trajneri dhe legjenda e futbollit kroat, Miroslav Bllazheviq e ka përkujtuar Fadil Vokrrin në përvjetorin e katërt të vdekjes.
Bllazheviq që ishte trajner i Vokrrit në gjeneratën e artë të Prishtinës në futboll ka thënë se ishte privilegj për të ta kishte futbollist Vokrrin.
“Kanë kaluar 4 vjet nga vdekja e papritur e Fadil Vokrrit dhe ende me shumë mall e kujtoj popullaritetin e tij dhe dashurinë e përgjithshme që publiku ushqente ndaj tij në kohën kur unë e drejtoja Prishtinën. Aq i fortë, shpërthyes, i shkathët, me teknikë dhe goditje të shkëlqyer, ai shkundi lehtësisht të gjithë mbrojtësit që përpiqeshin ta ndalonin. Ai dinte çdo gjë, si të shënonte ashtu edhe të asistonte e të shënonte edhe me kokë”.
Pamje të rralla | Fadil Vokrri i realizoi dy gola pikërisht Irlandës së Veriut në “Euro 1988”
“Në këmbë shpesh e kishte topin dhe dinte të gjuante nga 20 metra e ta mposhte portierin si për shaka. Por nuk ishte vetëm një futbollist i talentuar, por edhe një burrë i madh. Human që me karakterin e tij bënte për vete masën. Kur i do njerëzit – atëherë edhe ata të duan! Ai ishte shumë emocional, dhe kështu jam edhe unë tash që e kujtoj atë dhe një nga aventurat më të bukura të jetës sime. I gjithë qyteti jetoi për klubin për ta shpëtuar atë. Sot, historia e asaj epoke të paharruar përcillet brez pas brezi, dhe edhe sot ndiej kënaqësi të pamasë për periudhën që kalova me Fadil Vokrrin në Prishtinë”, ka shkruar mes tjerash Bllazheviq në Facebook.
Sot bëhen katër vite nga ndarja prej jetës e legjendës shqiptare të futbollit Fadil Vokrri.
Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA./Demokracia.com/