Sport
Legjenda e Milanit: Napoli i Rrahmanit është më i fortë se të gjithë në Ligën e Kampionëve
Demokracia
17:02 | 20 Shkurt 2023

Share:

Mbrojtësi legjendar i Milanit dhe Italisë, Alessandro Costacurta, thotë se Napoli është ekip më i fortë se favorit Manchester City dhe skuadrat e tjera të mbetur në garë për ta fituar Ligën e Kampionëve.

Ish-mbrojtësi italian beson se lideri i Serie A Napoli ka të drejtë të ëndërrojë shumë në Ligën e Kampionëve këtë sezon.

Napoli është duke u përgatitur për ndeshjen e parë të një të tetës së finales kundër Eintracht Frankfurtit këtë javë.

Skuadra e udhëhequr nga trajneri Luciano Spalletti e mbizotëroi fazën grupore të ligës më prestigjioze evropiane për klube, duke i fituar pesë prej gjashtë ndeshjeve dhe duke përfunduar përmbi Liverpoolin, Ajaxin dhe Rangers.

Duke folur për Il Mattino në Itali, Costacurta shpjegoi pse mendon se Napoli ka mundësi shumë të madhe për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon.

“Tani për tani, Napoli është më i fortë se Manchester City dhe të gjitha ekipet e tjera. Anglezët luftojnë gjithmonë në dy fronte, në Premierligë dhe në Ligën e Kampionëve, gjë që nganjëherë mund të ndikojë tek ta”, tha Costacurta.

“Dhe duhet thënë patjetër se ekipet më të forta në Evropë ende nuk kanë treguar forcë të madhe në ligat e tyre. Prandaj, unë jam i bindur se Napoli mban qëndrim i cili ia legjitimon të ëndërrojë shumë”, shtoi ai.

Napoli, për të cilin kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani është titullar i padiskutueshëm, ka krijuar një epërsi prej 15 pikëve në krye të tabelës në Serie A, kur kanë mbetur vetëm edhe 15 ndeshje deri në përfundim të kampionatit italian.

Megjithëse Napoli është dukur skuadër shumë e fortë këtë sezon, Kupa e Italisë ka dëshmuar se edhe ajo mund të jetë e brishtë kohë pas kohe.

Cremonese, një skuadër në vështirësi në Serie A, e rrëzoi klubin napolitan nga Kupa duke e mundur 7:6 në penallti, pasi loja e rregullt përfundoi baras 2:2.

 

 

Të ngjashme