Lajme
“Le të shkon Lumezi, le të vjen Elezi” – Elezi s’erdhi, por ja kë e preferon ai për Kryeprokuror të ri
Demokracia
21:11 | 17 Mars 2022

Share:

Gara për Kryeprokurorin e Shtetit ka nisur të ashpërsohet. Tashmë politika, por edhe akterë të tjerë po shfaqin preferencat e tyre për njeriun që pretendon ta zëvendësojë Aleksandër Lumezin.

Në garën për kreun e Prokurorisë është edhe prokurori Armend Hamiti, që po cilësohet edhe si i preferuari i Qeverisë së Albin Kurtit për këtë pozitë, shkruan Demokracia.com.

Albin Kurti sa ishte në krye të opozitës deklaronte shpesh se kur të vijë në pushtet do ta shkarkojë kryeprokurorin aktual Lumezin. Të gjithëve u kujtohet shprehja e tij e famshme “Shkon Lumezi, vjen Elezi”.

Elezi Blakaj personazhi i rimës së kryeministrit, ishte një prokuror i cili e la Kosovën dhe iku në Amerikë.

Elezi para ikjes kishte deklaruar se kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka provuar ta frikësonte atë në lidhje me rastin “Pronto”.

Por edhe pas ardhjes në pushtet të Kurtit, Elez Blakaj nuk u kthye në Kosovë.

Por nga atje ai i ka dhënë mbështetje, kandidatit Armen Hamiti, shkruan Demokracia.com.

Ai ka thënë se se pjekuria profesionale, integriteti dhe guximi janë shembulli më i mirë më të cilët identifikohet  Armend Hamiti – kandidat për Kryeprokuror të Shtetit!

Kandidati i preferuar i pushtetit për Kryeprokuror të Shtetit shoqërohet me mashtruesin e dënuar për krime

“Ballafaqimi me sfida të shumta, menaxhimi i suksesshëm, vendosmëria dhe etika në punë si dhe përfaqësimi dinjitoz i Institucionit të Prokurorit të Shtetit brenda dhe jashtë vendit, janë model që duhet ndjekur nga të gjithë! Si profesionist, ka dëshmuar së është shembull në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj brenda standardeve më të larta profesionale dhe etike!”, ka shkruar Elez Blakaj në Facebook.

Ish-prokurori ka thënë se injorancës dhe sulmeve të orkestruara brenda nga sistemi dhe çdo tendence për ta minuar angazhimin e tij, Armend Hamiti i është përgjigjur gjithmonë më punë, urtësi dhe profesionalizëm.

“Sot, do flisnim ndryshe për besueshmërinë e Institucionit të Prokurorit të Shtetit, nëse do kishim më shumë Armenda, në veçanti në menaxhim! Suksese dhe faleminderit Armend!”, ka shkruar Blakaj.

Të ngjashme