Lajme
LDK nuk e “përkëdhel” më presidenten Osmani, i kërkon prokurorisë ta hetojë për skandalet e Martin Berishajt
Demokracia
13:34 | 14 Janar 2023

Share:

Ka marrë fund “përkëdhelja” e LDK-së së Lumir Abdixhikut për “shoqen” e tij, presidenten Vjosa Osmani.

LDK-ja i ka kërkuar Prokurorisë që për rastin e ambasadorit Berishaj ta hetojë edhe presidenten Osmani, përveç Kurtit dhe Gërvallës.

Megaskandali financiar ballkanik në të cilin, sipas mediave sllovene, është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, ka filluar të trazojë ujërat edhe në politikën e Kosovës. Situata e re po i jep fund edhe “përkëdheljes” së presidentes Osmani nga LDK-ja. Kjo parti, që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, i është drejtuar Prokurorisë së Shtetit me një kërkesë të paprecedent në historinë politike të Kosovës, që ta hetojë edhe presidenten Osmani për rastin e ambasadorit Berishaj, shkruan Demokracia.com.

Prej kohësh është folur qëndrimi tepër i butë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Analistë të ndryshëm dhe media e kanë ndërlidhur këtë qëndrim me idenë që mbështetësit e Vjosa Osmanit, që do të ishin të pakënaqur me qeverisjen e Vetëvendosjes, të rikthenin mbështetjen në LDK-në, pasi që Osmani si presidente nuk përfaqëson juridikisht asnjë subjekt politik.

Të vetmit që kanë kritikuar ashpër presidenten Osmani kanë qenë më herët drejtues të LDK-së, siç janë Isa Mustafa, Skënder Hyseni apo Agim Veliu.

Por, rasti i fundit në Slloveni, ku sipas mediave atje është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka ashpërsuar qëndrimin e partisë LDK, shkruan Demokracia.com.

Pavarësisht fakteve të publikuara në media dhe skandalit të paprecedent për një përfaqësues të shtetit të Kosovës, ambasadori Berishaj ka marrë mbështetjen publike të presidentes Vjosa Osmanit, të kryeministrit Albin Kurtit dhe të ministres Donika Gërvalla – Schwarz. Të tre këta nuk kanë pasur guximin ta shkarkojnë ambasadorin Berishaj dhe kjo ka ngritur pikëpyetje të shumta se edhe treshja Osmani – Kurti – Gërvalla janë të përfshirë.

Kjo situatë i ka dhënë fund edhe qëndrimit “përkëdhelës” të Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidenten Osmani. Kjo pasi partia që drejtohet nga Lumir Abdixhiku i është drejtuar Prokurorisë së Shtetit me një kërkesë të paprecedent në historinë politike të Kosovës. LDK-ja i ka kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të zhvillojë hetime jo vetëm për kryeministrin Albin Kurtin, si një kundërshtar politik apo vetëm për Donika Gërvallën, por edhe për presidenten Vjosa Osmani, që dikur ishte pjesë e LDK-së dhe identifikohej me gjeneratën e re politike të kësaj partie, ku bënte pjesë edhe Abdixhiku.

“Prokuroria e Shtetit të zhvillojë hetime të detajshme të qarkullimit të parasë së kompanisë së Martin Berishajt, duke i përfshirë në hetim edhe Kryeministrin Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani dhe Ministren e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz”, ka thënë në një konferencë për media Besian Mustafa i LDK-së, të shtunën e 14 janarit 2023, i cili shoqërohej nga deputeti Driton Selmanaj.

Deri më tani ende nuk ka një reagim zyrtar nga presidentja Osmani apo nga kabineti i saj. /Demokracia.com/

Të ngjashme