Lajme
LDK mirëpret marrëveshjen për targat: E panevojshme e gjithë drama populliste
Demokracia
10:32 | 24 Nëntor 2022

Share:

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar dakordimin e mbrëmshëm të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat, me ndërmjetësimin e BE-së dhe më mbështetjen e ShBA-ve.

 Përmes një postimi në Facebook, kjo parti thotë se rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Tutje, kjo parti thotë se e ka parë tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. “Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore.

 Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”.

Në fund, LDK-ja u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur.

“Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme