Lajme
LDK me komunikatë për media: Maskat ranë, kjo hipokrizi shpërfaq gjendjen alarmante të politikëbërjes
Demokracia
18:31 | 10 Korrik 2023

Share:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me reagim për media pasi gazeta Nacionale ka publikuar pjesën e parë të përgjimeve, ku përfshihet Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, e cila gjatë një bisede me Slavko Simiqin, deputet i Listës Serbe, e pranon se ka biseduar me Milan Radoiçiqin, nënkryetar i Listës Serbe i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i penalizuar si “non-grata” nga ana e SHBA-së. 

Në komunikatë, LDK-ja shpreh shqetësimin e thellë lidhur me këtë çështje dhe thekson se kjo sjellje e koordinimit të politikës me individë të dyshuar për krime shfaq një hipokrizi të thellë nga “pushteti populist”.

LDK-ja po ashtu ka shprehur shqetësimin e thellë të situatës së rëndë e politikës në Kosovë duke theksuar nevojën për një ndryshim të thellë në kulturën politike dhe përgjegjësinë ndaj sigurisë së vendit.

Reagimi i plotë:

REAGIM PËR MEDIE

Maskat ranë. Me to dhe perdja e populizmit. Përgjimet e publikuara sot në mediet kosovare, shpërfaqin sheshazi hipokrizinë e thellë të pushtetit populist. Kjo hipokrizi, tashmë standard veprues i partisë në pushtet, që në njërën anë kontakton, koordinon e bashkëvepron me njerëz të lidhur me krimin, e në anën tjetër akuzon të tjerët për një gjë të tillë, shpërfaq gjendjen alarmante të politikëbërjes në vend.

Për të vërteten dhe faktimin e saj, ne shprehim mirënjohjen. Për gjendjen e rëndë të politikëbërjes në Kosovë, LDK -ja shpreh shqetësimim më të thellë.

Sepse, koordinimi i aktiviteteve politike në vend, sikurse dhe komunikimi me një person me urdhërarrest e në listë të zezë të SHBA-ve, cënon rëndë sigurinë e Republikës së Kosovës.

LDK-ja do të përcjellë në vijim zhvillimet mbi këtë temë.

LDK – Zyra për Informim

Të ngjashme