Lajme
LDK-ja kërkon zgjedhje të reja në veri e mobilizim për hartimin e drafstatutit të Asociacionit
Demokracia
14:32 | 11 Korrik 2023

Share:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat në veri dhe formimin e një ekipi për hartimin e drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, pas takimit që ka pasur me përfaqësues të shoqërisë civile e organizata joqeveritare.

Ai ka thënë se si LDK, kanë prezantuar 7 pika “për rrugën përpara”. Ai ka shtuar se duhet marrëveshje në mes të partive që kanë garuar në këto komuna për dorëheqjen e kryetarëve aktualë në veri.

“Për LDK-në gjendja e tanishme kërkon shtensionim, zgjedhje të reja sa më parë që të jetë e mundshme me qëllim të kthimit të legjitimitetit tek institucionet lokale në katër komunat veriore, i dëmtuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Duhet të organizohen nëpërmjet një marrëveshjeje politike të pjesëmarrësve në zgjedhje, VV-së, PDK-së dhe katër kryetarëve aktualë për dorëheqjet e tyre dhe shkaktim të zgjedhjeve për 45 ditë”, ka thënë Abdixhiku për gazetarët pas mbledhjes, teksa ka shtuar se kjo periudhë 45-ditëshe duhet të shërbejë për bindjen e serbëve për pjesëmarrje të plotë në zgjedhje.

Abdixhiku po ashtu ka thënë se Kosova duhet të krijojë ekipe profesionistësh e diplomatësh me përvojë për t’i çuar në kryeqendrat botërore për të kërkuar heqjen e sanksioneve e për të parashkruar hapat e ardhshëm të vendit. Sipas tij, dëmtimi Kosovës po i bëhet nga “politikat e gabuara, përplasëse e të paprecedenta të kryeministrit Albin Kurti dhe paaftësisë së jashtëzakonshme të MPJ-së”.

Si pikë tjetër, ai ka thënë se duhet të krijohet një ekip profesionistësh nga të gjitha sferat për ta ndërtuar draftstatutin e Asociacionit.

“Kosova duhet të marrë autorësinë mbi draftin dhe kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare. Tash e një vit të gjitha institucionet ndërkombëtare, në veçanti SHBA-ja, kanë kërkuar që Kosova e institucionet të marrin autorësinë që kjo autorësi të mos u vihet palëve të tjera”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka përsëritur se LDK-ja nuk sheh rrugë bashkëpunimi për të ardhmen me Qeverinë Kurti.

“Nuk shoh rrugë përpara me këtë qeveri, prandaj rruga jonë s’ka të bëjë me bashkëpunim me këto institucione që i kanë sjellë vendit tension, përplasje dhe s’janë të afta të dalin nga kjo. Po flas për rrugë të tretë, në të cilën rrugë të tretë kryeministri i Kosovës s’ka vend”, ka thënë ai.

 

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025