Lajme
LDK-ja i “përçan” Ministrin Murati dhe deputetët e VV-së, sot i dolën kundër në Kuvend
Demokracia
16:50 | 15 Dhjetor 2022

Share:

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë sot kundër Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit. Deputetët e kësaj partie votuan pro një amandamenti që u propozua nga LDK’ja, për mjetet vetanake të pashpenzuara të komunave, të cilat Murati kishte propozuar që t’u merreshin e të kalonin në Fondin e Kosovës. Për këtë propozim të Muratit, kishte alarmuar fillimisht Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Rreth tri javë më parë, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, iu drejtua deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me një thirrje për Projekt-buxhetin e Kosovës për vitin 2023. Ai alarmoi se Qeveria e Kosovës po tenton t’ua marrë komunave mjetet vetanake të pashpenzuara. Në rastin e komunës së tij, bëhej fjalë për rreth 38 milionë euro.

“Unë i bëj thirrje deputetëve të respektuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbrojnë interesat e Kryeqytetit ku jetojnë dhe veprojnë edhe një numër i madh i qytetarëve nga e gjithë Kosova. Unë ju bëj thirrje që të angazhoheni dhe votoni për të fshirë fjalinë e paragrafit 6 të nenit 9 të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2023…”, kishte shkruar Rama.

Sipas paragrafit 6 të Nenit 9 të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e vitit 2023, “të gjitha te hyrat vetanake te mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe te pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar.”

Kërkesa e Ramës u plotësua sot. Amandamenti që u propozua nga partia prej së cilës vjen, Lidhja Demokratike e Kosovës, për fshirjen e fjalisë që e parasheh kalimin e mjeteve vetanake të komunave në Fondin e Kosovës, u votua edhe nga deputetët e pushtetit.

Kur e propozoi këtë amendament, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, tha fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.

“Në bazë të rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i LDK’së ka propozuar amandamentim në tekstin e Ligjit. Në Nenin 9, paragrafi 6, propozojmë që të hiqet fjalia “të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit Kosovar në bilancin banker”. Kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, Ne e konsiderojmë se nëse mbetet në mënyrën e tillë, është dëmtim i jashtëzakonshëm i buxhetit lokal dhe është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

Ai paralajmëroi se nëse nuk kalon ky amandament, LDK’ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse nuk kalon ky amandament, ky projektligj do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ne si Grup Parlamentar do ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Gashi.

Paralajmërim të njëjtë pati edhe Partia Demokratike e Kosovës, në emër të së cilës foli deputeti Mërgim Lushtaku, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa.

“Do të jetë Projekt-buxheti i parë i Republikës së Kosovës që do të atakohet dhe shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të një amandamenti që e ka propozuar Ministri i Financave dhe për këtë kemi debatuar edhe në Komisionin për Buxhet dhe Financa, por nga ai shihet qartë që është i interesuar që buxhetin vetanak të komunave të Kosovës t’ua marr në buxhet të Kosovës dhe t’I drejtojë në komunat e tyre”, tha Gashi.

Pavarësisht deklarimeve të deputetëve të opozitës, Ministri Hekuran Murati, nuk u tërhoq nga propozimi.

Sipas Muratit, fjalia që u kërkua të fshihej s’bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Në lidhje me çështjen e ngritur nga deputeti Gashi, është diskutuar edhe para se të vijë projektligji i buxhetit në Kuvend .Bëhet fjalë për një fjali në një paragraf, i cili  nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse Neni 124, paragrafi 5 i Kushtetutës thotë që komunat kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyra vetanake dhe të pranojnë edhe mjete nga Qeveria. Asnjëherë kjo e drejtë nuk cënohet nga ajo fjal, pra komunat vazhdojnë të kenë të drejtë të mbledhin të hyrat vetanake dhe t’i shpenzojnë ato, por ajo bëhet në kuadër të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësitë, Neni 27, i plotësuar dhe ndryshuar, i cili thotë se të hyrat vetanake të mbledhura, barten në vitin vijues, pra nga viti aktual barten në vitin vijues”, tha Murati.

Madje, tha se fjalia në fjalë i përgjigjet edhe kërkesës së LDK’së.

“Fjalia për të cilën z.Gashi thotë se është problematike dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ne si Ministri e Financave nuk e vlerësojmë sit ë tillë. Përkundrazi, është vetëm një rregullim, i cili në fakt i përgjigjet edhe kërkesës nga vetë Grupi Parlamentar i LDK’së. Dmth nëse kthehemi prapa, kërkesa e Grupit Parlamentar të LDK’së ka qenë që pse nuk po shpenzohen mjetet e bilancit bankar”, tha Ministri Murati.

Por, disa minuta më vonë, kur amandamenti në fjalë u hodh në votim, Muratit i doli kundër edhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, duke votuar pro amandamentit të LDK’së.

Në momentin e votimit, në sallë ishin 95 deputetë, 94 prej të cilëve votuan pro, derisa një abstenoi.

Përfshirja e këtij paragrafi në Projekt-buxhetin e vitit 2023 është kundërshtuar edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kryetari i AKK’së, Sazan Ibrahimi, i kishte thënë Gazetës Express se nëse ky Projektligj miratohet, Kuvendi dhe Qeveria do të shkelin dy Ligje.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe kryetarët e komunave e kanë kundërshtuar një tendencë të tillë të nivelit qendror. Nëse ndodh një gjë e tillë dhe nëse ky projektligj miratohet nga Parlamenti i Kosovës, atëherë përveç shkeljes së Ligjit për Financat Publike, do të shkelet edhe Ligji për Financat Lokale dhe me të dyja këmbët, Parlamenti i Republikës së Kosovës si dhe Qeveria, sepse ajo e ka iniciuar, do të shkel mbi parimet bazë të Kartës Evropiane mbi qeverisjen lokale, sa i përket autonomisë lokale për menaxhimin e financave apo të hyrave vetanake”, kishte deklaruar Ibrahimi.

Për mos shpenzimin e këtyre mjeteve nga ana e komunave, Ibrahimi kishte fajësuar nivelin qendror.

Vonesat në funksionalizimin e “Gjykatës së Tenderëve” dhe moslejimi për rishikim të buxhetit, thotë se i kanë penguar komunat që t’i shpenzojnë këto mjete.

“Nuk ka asnjë logjikë që taksapaguesit e një komune të cilat komuna nuk kanë mund t’i shpenzojë për një vit, sepse kjo me fajin e nivelit qendror sepse Bordi i OSHP’së nuk ka qenë i funksionalizuar për një kohë, pastaj komunave nuk u është lejuar rishikimi i buxhetit që këto mjete të pashpenzuara për fajin e nivelit qendror të merren dhe komunave t’iu pamundësojnë realizimin e projekteve kapitale në të mirë të qytetarëve”, kishte thënë Ibrahimi.

Ndryshe, më 18 nëntor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projekbuxhetin për vitin 2023, që parashihet të ketë vlerë mbi 3.2 miliardë euro.

45 deputetë kishin votua për dhe një kundër. Kundër kishte votuar deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli.

Në votim nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare, të cilat e kanë kundërshtuar në vazhdimësi.

Ky Projekt-buxhet është duke u shqyrtuar sot në lexim të dytë. /Express

Të ngjashme