Lajme
LDK-ja e cilëson “të rremë” sondazhin e UBO Consulting: Jo të gjithë ndjehen mirë me rritjen tonë
Demokracia
22:02 | 25 Dhjetor 2023

Share:

Një sondazh i UBO Consulting me pyetjen se “nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, për cilin subjekt do votonit?, ka ngjallur reagime të ashpra të figurave kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas sondazhit, kjo parti është renditur e treta më 17.9 për qind pas Partisë Demokratike të Kosovës me 18.2 për qind dhe Lëvizjes Vetëvendosje që u listua e para me 48.5 për qind.

Nënkryetarja dhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelilin, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se jo të gjithë ndihen mirë me rritjen e LDK-së kohëve të fundit.

“17,000 të anketuar vetëm në rajonin 01, dhe rezultatet flasin shumë për punën e LDK-së. Sapo i morëm ato rezultate fantastike, filloi sulmi dhe propaganda. Natyrshëm, jo të gjithë ndjehen mirë me rritjen tonë, dhe kjo është demokracia. Dhe është në rregull”, shkroi ajo.

“Por, propaganda nuk është. Manipulimet me mostra, numër mostrash e pyetje përmes sondazheve tjera qe fatkeqësisht po e humbin kredibilitetin, nuk janë”.

Kica-Xhelili ka bërë të ditur se rezultatet e 17,000 mostrave në rajonin 01 do i bëjnë publike sonte, “sapo ta kuptojmë se sa saktësisht kanë propaganduar përmes sondazheve me agjendë, apo të dizajnuara asisoj që të amortizojnë shpërthimin e LDK-së”.

“Ju edhe mund ta amortizoni perceptimin përkohësisht; por ne jemi këtu, të përhershëm, përtej propagandës, në zemrat e njerëzve deri në rikthimin tonë të madh”.

Ndërsa deputetja tjetër e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka theksuar se “asnjë sondazh, asnjë rezultat i manipuluar, asnjë rezultat i konstruktuar nuk e ndryshon gjendjen në terren”.

“Qytetarët po pyesin ku janë ndërtuar 160 çerdhet, çka po ndodhë me faturat e energjisë elektrike, kur do të ndërtohen 4000 banesat për çiftet e reja, kur do të shkarkohet Martin Berishaj, a luftohet korrupsioni me 2140 kontrata me negocim të drejtpërdrejtë, kur do të vjen njohja e parë nga ana e kësaj Qeverie, kur do të bëhet vetingu në drejtësi?”, ka pyetur Bajrami.

Ajo ka treguar se këto dhe shumë pyetje tjera kërkojnë përgjigje nga partia që punë të vetme e ka propagandën dhe manipulimin.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka matjet e veta, me dhjetëra mijëra anketa janë bërë deri me tani dhe rezultatet janë tepër inkurajuese për ne. Qytetarët e vendit krahas propagandës së partisë në pushtet kanë programin konkret të Lidhjes Demokratike Rruga e Re’”.

Në anën tjetër, deputeti LDK-së, Besian Mustafa, nuk e ka marrë si kredibil sondazhin e UBO Consulting, derisa e ka cilësuar si “të rremë”.

Fatura të larta energjetike. Dështim në PISA. Dështim në shëndetësi, infrastrukturë dhe çdo gjë tjetër. Porositni një sondazh të rremë shpejtë, shpejtë, ngutu, ngutu qaty me 800 persona në krejt Kosovën sa me qitë VV-në kinse mirë me numra”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Tutje Mustafa ka potencuar se “nuk mbulohen dështimet me sondazhe të rreme, pritshëm ky tentim-mashtrim i dështakëve. Dështakë bre”.

Të ngjashme