Lajme
LDK-ja dënon sulmet ndaj gazetarëve: Ata të mbrohen me protokolle të posaçme në zonat e tensioneve
Demokracia
20:00 | 16 Qershor 2023

Share:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër sulmet e protestuesve serbë ndaj gazetarëve të cilët po raportonin nga veriu.

Sipas kësaj partie, sulmet e vazhdueshme e të dhunshme janë vepra kriminale të cilat në shtete demokratike nuk kanë vend, ndaj kryesit e tyre duhet të dalin para drejtësisë.

“LDK-ja dënon ashpër sulmet e grupeve kriminale ndaj gazetarëve në veri të cilët ishin duke kryer detyrën e tyre për informim e pasqyrim të gjendjes reale. Sulmet e vazhdueshme dhe të dhunshme e të paprovokuara janë vepra kriminale dhe në shtetet demokratike nuk kanë vend, prandaj dhe duhet të dënohen, ndërsa kryerësit e sulmeve të tilla të dalin para drejtësisë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës fton organet e sigurisë që gazetarët të mbrohen me protokolle të posaçme në zonat e tensioneve.

“Po ashtu edhe njëherë i bën thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të marrin veprimet e duhura për të evituar destabilizimin e mëtutjeshëm të situatës”, ka shtuar ai.

LDK-ja inkurajon të gjitha mediat dhe gazetarët të vazhdojnë ta pasqyrojnë qartë dhe drejt gjendjen reale dhe të jenë në koordinim të plotë me organet e rendit dhe sigurisë.

Të ngjashme