Lajme
LDK e konfirmon se Ambasada në Holandë nuk i ofroi asistencë Abdixhikut
Demokracia
19:37 | 02 Qershor 2022

Share:

Një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i prirë nga kryetari Lumir Abdixhiku, ka qëndruar për një vizitë dyditore në Rotterdam të Holandës, ku kanë marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e ka konfirmuar për Demokracia.com se delegacioni i LDK-së në krye me Abdixhikun e kishte kërkuar asistencën e Ambasadës së Kosovës në Holandë, por nuk ishin përfillur nga ambasada atje, me arsyetimin se “janë të zënë me punë në Hagë”.

“Po, është kërkuar asistencë nga ambasada dhe e njëjta nuk është dhënë”, ka thënë Halimi për Demokracia.com.

Ajo ka treguar se LDK-ja ka vazhduar me kapacitetet e veta ta përfaqësojë Kosovën në Kongresin e EPP, me pjesëmarrje të jashtëzakonshme të udhëheqësve evropiane.

“Siç dhe jeni njoftuar, në këtë ngjarje të rëndësishme, z. Abdixhiku përpos pjesëmarrjes, ai ka prezantuar domosdoshmërinë e mbështetjes së shteteve e institucioneve evropiane ndaj Republikës së Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane. Po ashtu, në drejtimin e tij ndaj të gjithë liderëve të vendeve evropiane, ai u kërkoi mbështetje për Kosovën – në liberalizim, në anëtarësim drejt Këshillit të Evropës e në ngritjen e vëmendjes së BE-së ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor. Derisa, iniciativa e LDK-së dhe me sponzorizimin e partisë më të madhe austriake, Die Volkspartei (ÖVP), u votua rezoluta në mbështetje të liberalizimit të vizave të Kosovës. Takimi ka shërbyer dhe për një mori takimesh bilaterale, dhe për darkën e përbashkët të liderëve të Partive Popullore Evropiane”, ka thënë Halimi për Demokracia.com.

Në kongresin dyditor të partive politike politike evropiane është zgjedhur edhe kryetari i ri saj, Manfred Weber, i cili mori besimin e mbi 447 delegatëve nga gjithsej 502 delegatë të EPP-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme