Lajme
LDK del nga takimi që Dehari i ftoi: Kryesuesi nuk e ka mandatin të mbledhë partitë për konsultime
Demokracia
12:50 | 17 Prill 2025

Share:

Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit, e ndërprerë më 15 prill për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca është duke u kryesuar nga deputeti më i vjetër i Kuvendit, Avni Dehari, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Dehari në nisje të seancës i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike që të dalin dhe të konsultohen, siç tha ai që të mos bëjnë ndonjë shkelje procedurale, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Nga LDK-ja bënë të ditur se kanë shkuar në takim, por kanë dalë, pasi siç thanë ata kryesuesi i seancës nuk ka mandat që të thërrasë deputetët për konsulta të tilla.

“Ajo që ai mund të bëjë në këtë fazë është që të formohet komisioni për rishqyrtimin e  mandateve të deputetëve ose ta riqes në votim raportin e djeshëm, por jo të ftojë në konsultim të tillë. Përfaqësuesit e LDK-së shkuan në atë takim që ta tregojnë këtë çështje që kryesuesi i seancës nuk e ka mandatin që ti ftojë partitë politike për konsultim në këtë fazë”, tha deputetja Doarsa Kica-Xhelili nga LDK.

Njëjtë tha edhe Hykmete Bajrami.

“Ne e thamë që ai nuk ka një mandat të tillë të zhvillojë takime të tilla dhe dolëm nga takimi”, tha Bajrami.

Edhe Time Kadriaj nga AAK tha se në takim u kërkua të formohet një komision tjetër ad-hoc, gjë që tha e kundërshtuan.

“U kërkua të formohet një komison tjetër ad-hoc, gjë që ne e kundërshtuam. Sot është dashtë me vazhdu aty ku kemi mbetë, jo të thirrin konsulta dhe të kërkojnë të formohet një komision i ri. Kjo qeveri ka bërë shkelje. Raporti ka kaluar në komision dhe seanca ku është ndërpre duhet të vazhdohet”, tha Time Kadriaj. /Reporteri.net/

Të ngjashme