Lajme
Lavrov hedh poshtë zërat se Putini është i sëmurë
Demokracia
08:42 | 30 Maj 2022

Share:

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov të dielën mohoi spekulimet se presidenti Vladimir Putin ishte i sëmurë, duke thënë se nuk kishte shenja që tregojnë për diçka të tillë.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga transmetuesi francez TF1, kryediplomati rus ka thënë: “Unë nuk mendoj se njerëzit e arsyeshëm mund të shohin tek ky person shenja të një lloj sëmundjeje”.

Lavrov tha se Putin, i cili do të mbushë 70 vjeç në tetor, shfaqej në publik “çdo ditë”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Ju mund ta shikoni atë në ekrane, të lexoni dhe dëgjoni fjalimet e tij”, citohet të ketë thënë më tej Lavrov në komentet e lëshuara nga ministria e jashtme ruse.

“E lë në ndërgjegjen e atyre që përhapin thashetheme të tilla”.

Putin, i cili ka qenë në pushtet në Rusi për më shumë se dy dekada, dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt, duke provokuar reagime të ndryshme nga e gjithë bota.

Ofensiva e Rusisë ka vrarë mijëra njerëz, ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka çuar në sanksione të pashembullta perëndimore kundër Moskës.

Të ngjashme