Lajme
Latifi përzihet në punët e Nagavcit, flet për hulumtime shkencore e kthim të trurit
Demokracia
19:49 | 25 Mars 2022

Share:

Që nga ardhja në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Rifat Latifi, nuk është se mbahet mend për ndonjë punë të rëndësishme. 

Mjeku i kthyer nga Amerika për të udhëhequr me shëndetësinë kosovare duket se e ka keqkuptuar pak punën dhe misionin që ka një ministër shëndetësie, sidomos në kohën e pandemisë.

Kirurgut shqiptaro-amerikan, i cili u rikthye në vendlindje pas më shumë se 36 vjetësh qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, duket se po i pëlqen Kosova dhe vetes ia ka vënë mision kthimin e shqiptarëve të diasporës dhe hulumtimet shkencore, duke harruar se qytetarët presin për muaj të tërë për shërbime në spitale, shkruan Demokracia.com.

Latifi i ka mbathur çizmet e tij prej ‘kauboji’ dhe ia ka mësyrë Turqisë, ku bashkë me zëvendësen e tij, Dafina Gexha-Bunjaku, kanë vizituar Shoqatën Kosovare të Kulturës, Artit e Turizmit “Kosova Rumeli”. Ai në Turqi i është përzier në punë edhe Ministres së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Arbërie Nagavcit.

Gjatë vizitës në Turqi, Latifi është takuar me autoritetet e Qendrës së Trajnimit dhe Edukimit të Spitalit Universitar Koç RMK AİMES në Stamboll.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se hulumtimet shkencore ishin temë e diskutimit, shkruan Demokracia.com.

“Ministri Latifi, tha se është i hapur për bashkëpunim me Universitetin Koç, sidomos në fushën e hulumtimeve shkencore dhe në atë të edukimit. Ai tha se, përvojat e tilla në fushën e hulumtimeve shkencore dhe të edukimit, janë në dobi të përmirësimit të sistemit shëndetësor të Kosovës. Ndërkaq, İhsan Solaroğlu, drejtor i hulumtimeve shkencore në Universitetin Koç, tha se bashkëpunimi në fushën e shkencës, në mes të Kosovës dhe Turqisë, është gjithmonë i mirëpritur, dhe “shpresojmë se me ardhjen e ministrit Latifi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, bashkëpunimi do të jetë shumë më i frytshëm dhe më intenziv në fushën e hulumtimeve shkencore dhe të edukimit”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Latifi ka thënë se njëra nga detyrat e tij si Ministër i Shëndetësisë dhe më e rëndësishmja është kthimi i trurit në Kosovë.

“Është koha që jo vetëm Kosova, por edhe shtetet tjera si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, të mendojnë më shumë për ju, sesa për vetën e tyre . Diaspora, është shpirti i Kosovës, prandaj ju falënderoj shumë për gjithë ndihmën që keni dhënë si para luftës , gjatë dhe pas luftës në mënyra të ndryshme”, tha ministri Latifi në këtë takim.

Në këtë takim, ministri Latifi e ftoi komunitetin shqiptar në Izmir për bashkëpunim në fushën e shkencës, në mënyrë që mjekët dhe personeli mbështetës të përfitojë eksperiencë nga stafi akademik i universiteteve dhe spitaleve në Izmir dhe në Turqi në përgjithësi.

Ministri Latifi u tha të pranishmëve se e konsideron komunitetin shqiptar të Izmirit dhe të tërë Turqisë, si pjesë të Kosovës dhe i ftoi të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë në Kosovë, të kthehen dhe ta zhvillojnë e përmirësojnë sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Fëmijët tuaj është mirë të kthehen në Kosovë dhe me eksperiencën e tyre, me shkëmbimin e përvojave, e që kemi nevoja shumë të madhe, të jenë pjesë e zhvillimeve të kapaciteteve tona shkencore dhe njerëzore”, tha ministri Latifi. /Demokracia.com/

Të ngjashme