Lajme
Latifi për shkrimin e Sveçlës: Konspiracioniste dhe mënyrë e rrezikshme e të menduarit politik
Demokracia
16:39 | 15 Korrik 2023

Share:

“Mënyrë të rrezikshme të të menduarit politik”, e ka quajtur filozofi dhe profesori universitar Blerim Latifi, shkrimin e fundit të Ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçlës, i cili tërë protestën e sotme të thirrur nga qytetarët kosovarë e jep si në shërbim të Serbisë dhe të të ashtu-paraqitur nga ta të “luftës hibride” të Serbisë në Kosovë. Madje, Latifi thotë se ai shkrim i ministrit “i plotëson të gjitha kriteret e teorive konspirative”.

Reagimi i Latifit:

Postimi i ministrit Sveçla për protestën e sotme i plotëson të gjitha kriteret e teorive konspirative. Kur budallenjtë e këtij zhanri flasin nëpër media, dëmtohet mentalisht publiku, por kur një ministër policie e shpjegon kundërshtimin opozitar në terma konspirativë, atëherë rreziku merr dimensione të tjera. Ai bëhet rrezik për rendin demokratik të gjërave. Sepse, duke e projektu veprimin opozitar brenda një konspiracioni kundër shtetit, ti e projekton atë si armike të shtetit. Hapi tjetër logjik është: arrestimi dhe burgosja e saj. Nëse si ministër i rendit, pas zbulimit të komplotit antishtetëror, nuk vepron, atëherë logjikisht i bie se pasivisht je duke e ndihmuar zbatimin e komplotit…

Këto janë vetëm disa nga rrjedhimet logjike të kësaj mënyre të rrezikshme të të menduarit politik. Fatmirësisht jetojmë në Europë, se po të jetonim në një hemisferë tjetër, këto rrjedhime nuk do të konsumoheshin vetëm brenda përplasjeve verbale politike.

Të ngjashme