Lajme
Latifi kritikohet për mungesë të barnave
Demokracia
13:57 | 29 Mars 2022

Share:

Raporti i auditimit të performances “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore” dhe “Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”, ishin temat me tw cilat u përball ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifin, me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Këta të fundit patën vërejtje sa i përket raportit të auditimit.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaroi se gjatë pandemisë, institucionet shëndetësore janë përballur me mungesë të barnave, duke u detyruar pacientët që t’i blejnë vetë ato.

Ajo tha se gjetjet e auditorit nuk janë të mira, derisa theksoi se qytetarët janë detyruar t’i blejnë edhe barnat nga lista esenciale.

“Gjetjet e auditorit nuk janë edhe aq të mira. Kemi vërejtur se gjatë gjithë kohës së pandemisë institucionet që kanë trajtuar pacientët më Covid janë përballur me mungesë të barnave. Gjetje jo e pranueshme ose që është me sekuenca negative është qe pacientët që janë trajtuar në spitale është dashur me ble barna nga lista esenciale. Institucionet tona është dashur t’i sigurojnë barna pacientëve”, tha ajo.

E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi deklaroi se për pandeminë, bota nuk ka qenë e përgatitur dhe nga kjo fatkeqësi globale, sipas tij, janë nxjerr mësime të rëndësishme.“Në spitalin ku unë kam punuar, bëhen edhe operacionet robotike. Ne nuk kemi qenë të përgatitur, për disa javë të tjera kemi qenë shumë të papërgatitur”, tha ai.

“Ne nuk kemi infermierë sa duhet. Ne nuk kemi anesteziologë. Unë mendoj se performanca e ekipit mjekësor, po flas pa qenë unë (ministër) s’mund të marr asnjë kredit për menaxhimi më të mirë. Ne e kemi vdekshmërinë më të vogël në rajon me sistemin më të brishtë shëndetësor. Të gjitha këto mësime janë të shkëlqyeshme. Të gjithë mjekët, laborantët e të tjerët, kanë bërë punë heroike. Është më rëndësi që ne po e auditojmë vetveten sepse duhet bërë analizë”, tha Latifi./eo/

Të ngjashme