Lajme
Latifi i zhgënjyer për “Sunny Hill”: Këtë vit rikthehet festivali “Hardh Fest” në Rahovec
Demokracia
23:32 | 14 Qershor 2022

Share:

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se në këtë komunë këtë vit do të rikthehet festivali “Hardh Fest”, pas anulimeve për shkak të pandemisë gjatë viteve të kaluara.

Latifi është shprehur i zhgënjyer me zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë, duke thënë se kjo zhvendosje ka ndodhur “për shkak të lojërave politike e burokratike”.

“Në Rahovec sivjet rikthehet një nga festivalet më të mëdha në Kosovë, Hardh Fest, pas anulimeve për shkak të pandemisë. Përkundër se jemi komunë relativisht e vogël, e kemi parë se kur ka vullnet, mund të bëhet një organizim i madh dhe i mirëfilltë që tërheq turistë nga e gjithë bota. Në këtë frymë, nuk kam se si të mos jem i zhgënjyer me mos mbajtjen e festivalit Sunny Hill në Kosovë për shkak të lojërave politike e burokratike”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Ai më tej ka ftuar institucionet që të mos e humbin mundësinë për organizime të festivaleve që sjellin përfitime për shoqërinë.

“Unë ftoj institucionet që të mos humbin mundësi për organizime të tilla sepse përfitimet për shoqërinë janë të jashtëzakonshme, e njëkohësisht ju ftoj të gjithëve në Konak të Rahovecit, sivjet më 2, 3 dhe 4 shtator”, ka thënë ai.

 

Të ngjashme