OpEd
Largimi si revoltë ndaj regjimit, eksodi i rusëve vetëm sa ka nisur
Demokracia
12:27 | 01 Prill 2022

Share:

Nga Clara Ferreira Marques “Bloomberg”

Është një dezertim që tashmë po tentohet të fshihet nga Kremlini si një çështje “personale”. Sigurisht. E vërteta është se ndërsa Moska po zhvillon një luftë shumë më të kushtueshme sesa imagjinohej në Ukrainë, largimi i papritur i një figure me shumë peshë në Rusinë post-sovjetike, i njeriut që e ndihmoi Vladimir Putinin të ngjitej në pushtet, duke i dhënë atij postin e tij të parë në Kremlin, do të shkaktojë një efekt domino.

Emri i Anatoli Çubais përfaqëson kaosin por edhe shpresën e dekadës së parë të jetës postkomuniste në Rusi. Ai ishte një ekonomist, një reformator i tregut në kohën e Boris Jelcinit. Ai çmontoi me një shpejtësi marramendëse një sistem të rrënuar ekonomik dhe shndërroi në miliarderë një grusht burrash.

Ai është fajësuar shpesh për shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë në vend, por në atë kohë e përshkroi zgjedhjen si “midis komunizmit bandit apo kapitalizmit bandit”. Tani, Çubais ka braktisur një Rusi gjithnjë e më të izoluar, duke shkuar në Turqi, në dezertimin e profilit më të lartë që kur nisi pushtimi katastrofik i Putinit në Ukrainë një muaj më parë.

Por nuk ka vend për asnjë dyshim. Duke forcuar retorikën e tij kërcënuese, Puti ka folur për “spastrimin” e vendit dhe ka paralajmëruar një “kolonë të pestë” të “tradhtarëve kombëtarë”.

Për të vlerësuar saktësisht se çfarë do të thotë ky largim për një regjim nën presion, është e rëndësishme të merret parasysh se çfarë nuk është.

Çubais nuk është një oligark, ndaj ky largim nuk është një shenjë rebelimi midis miliarderëve, të cilët në çdo rast nuk po mbështesin më sistemin politik siç bënë në kohën e Jelcinit. Ai nuk ishte më pjesë e rrethit të ngushtë të Putinit.

Ky i fundit përbëhet gjithnjë e më shumë nga figura që vijnë nga radhët e shërbimeve të sigurisë ose ato të lidhura me regjimin nëpërmjet shitjes së hidrokarbureve. Detyra e fundit e Çubais ishte roli i të dërguarit të Putinit për çështjet e ndryshimeve klimatike, një president që vështirë se shqetësohej nga dëmet që i shkakton planetit.

Ikja e Çubais ishte dezertimi i nivelit më të lartë deri më tani, por ndoshta më i pritshmi, thotë Ben Nobël, që studion politikën e brendshme ruse në Kolegjin Universitar të Londrës. E megjithatë ai ishte gjithashtu një nga disa njerëz të sistemit që për vite kishte qenë në gjendjetë ekzistonte edhe jashtë tij, në atë që Nobël e përshkruan si një hapësirë ​​kufitare, edhe kur Rusia e Putinit po hynte në një periudhë edhe më të errët.

Tani ai u detyrua të pozicionohej. Ç’është më e rëndësishmja, Çubais nuk është vetëm. Guvernatorja shumë e vlerësuar e Bankës Qendrore të Rusisë, Elvira Nabiulina, kishte kërkuar që të jepte dorëheqjen pak ditë pas pushtimit, por u riemërua javën e kaluar për një mandat të ri, për t’u marrë me menaxhimin e pasojave nga një luftë që e ka lënë Rusinë të izoluar ekonomikisht, dhe e ka zhbërë punën e saj disavjeçare.

Të tjerët në elitën ekonomike – por edhe atë politike – kanë sinjalizuar pakënaqësitë e tyre. Sigurisht, ata që janë në orbitën më të largët rreth Kremlinit flasin ose largohen të parët nga vendi. Çubais ka më pak për të humbur se sa bashkë-udhëtarët e tjerë nga administrata liberale e Shën Petersburgut, si Aleskei Kudrin, ish-Ministër i Financave dhe aktualisht kreu i Dhomës së Auditimit të Rusisë, ose Herman Gref, që drejton bankën huadhënëse më të madhe të vendit, Sberbank.

Komentet dhe veprimet e tyre mbeten për t’u parë. Asgjë nga këto nuk duhet të shpërfillë rëndësinë e arratisjes së Çubais. Figura të profilit të lartë jashtë Kremlinit po bëjnë tani thirrje jo vetëm për paqe, siç ka bërë miliarderi Oleg Deripaska, por edhe po e shprehin revoltën e tyre me aktin e largimit, me të gjitha kostot që nënkupton ky akt.

Nuk ka më kthim pas. Në një mjedis ku pak njerëz kanë iluzionin se operacioni në Ukrainë do të jetë një suksesi i shpejtë siç supozohej në fillim, çdo largim do të përbëjë goditje shtesë ndaj regjimit të Putinit.

Të ngjashme
OpEd • 30 Qershor 2024