Rafet Prekazi nuk do të jetë më trajner i Kombëtares U21 të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Trajner mitrovicas që udhëhiqte Kosovën për shumë vite, është zëvendësuar nga tekniku gjerman Michael Nees, i cili deri tash mbante postin e drejtorit teknik në FFK.
Prekazi në një bisedë për “Demokracia.com”, ka rrëfyer kohën kur ishte tek ekipi U21, punën që bëri aty, kontaktet me Agim Ademin pas iu kumtua lajmi për largim nga posti i trajnerit si dhe për trajnerin e ri gjermanin Nees, të cilin thotë se e njeh mirë.
“E kam bërë punën time me shumë krenari aty. Unë jam gjithmonë i gatshëm ta ndihmojë shtetin tim në çdo kohë dhe me shumë krenari kam punuar te ekipi kombëtar”, ka thënë fillimisht Prekazi, duke folu me pas edhe për sukseset që kishte te kjo skuadër të cilën duhet pranuar që e ka udhëhequr në kohë shumë të vështira.
“Puna ime që kam bërë te Kosova është e njohur. Shumë lojtarë nga U21 kanë arritur të depërtojnë në Evropë, derisa gati 10 prej tyre sot janë pjesë e Kombëtares A, që do t’i duhen Kosovës për së paku edhe 7-8 vite”, ka vlerësuar strategu mitrovicas.
62-vjeçari ka thënë se ka pasur kontakte me presidentin Agim Ademi, dhe ndarja ka qenë shumë miqësore, derisa atij i është ofruar një post i ri në FFK.
“Sigurisht që jam takuar me Agim Ademin, dhe kemi biseduar për të ardhmen. Ka qenë një takim miqësore dhe mua më është ofruar një post shumë i rëndësishëm në FFK. Kur është në pyetje vendi im nuk kam menduar gjatë dhe e kam pranuar me kënaqësi”, tha Prekazi, duke mos dashur të zbulojë se për çfarë pune të re bëhet fjalë pasi këtë do ta bëjë në momentin që e nënshkruan kontratën.
Prekazi ka komentuar edhe emërimin e trajnerit të ri te U21, gjermanin Nees i cili do ta udhëheq Kosovën në kualifikimet për kampionatin Evropian 2023.
“E njoh mirë trajnerin e ri dhe unë i dëshiroj shumë sukses atij, dhe kushdo tjetër që do të vinte, sepse është shteti im dhe dua të dëgjojë mirë për vendin tim”, ka përfunduar Rafet Prekazi. /Demokracia.com