Lajme
“Largimi i tij është lajm i mirë”, avokati Osaj: Gjyqtari i procedurës paraprake ka bërë shumë shkelje procedurale
Demokracia
19:59 | 17 Qershor 2024

Share:

Akuzohen për ndërhyrje në drejtësi dhe pengim të procedurave penale.

Lënda e Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, është paraparë që më 5 korrik të kalojë tek trupi gjykues.

Kjo paraqet datën e dytë të planifikuar për kalim të dosjes gjyqësore.

“Më 27 mars 2024, gjyqtari i procedurës paraprake caktoi datën 21 qershor 2024 si datë për dërgimin e dosjes së lëndës në Trupin Gjykues. Më 5 qershor 2024, gjyqtari i procedurës paraprake vendosi të shtyjë datën e transmetimit dhe caktoi datën 5 korrik 2024 si datë të re tentative për dërgimin e lëndës në Trupin Gjykues”

Në këtë çështje, është vënë një emër i ri si gjykatës i procedurës paraprake pas largimit të Nicolas Guillou nga Dhomat e Specializuara.

Ky ndryshim vlerësohet të sjellë ndryshim në zbatim të procedurave penale.

“Lajmi i mirë është largimi i gjykatësit të procedurës paraprake, se në gjitha procedurat paraprake ka qenë i njëjti, dhe ka bërë shumë shkelje procedurale dhe nuk e ka përfillur procedurën ashtu siç është paraparë në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Besoj dhe shpresoj që gjyqtari tjetër që e merrë këtë çështje penale dhe e zhvillon më tutje në procedurë paraprake do t’i përfillë procedurat. Dhe po ashtu edhe avokatët që do të kyçen në këtë proces, t’i referohen ligjit për Dhomat e Specializuara, e jo të përdorin praktika të Tribunalit të Hagës, pasi ne veçse e kemi ligjin për Dhomat e Specializuara”, ka thënë avokati Kadri Osaj.

Ky rast llogaritet të shërbej si mësim për këdo që potencialisht mund të kryejë veprime që lidhen me proceset në Hagë.

“Është një leksion për të tjerët që në të ardhmen të mos bëjnë gabime të tilla dhe pa dashje të involvohen në procese të panevojshme të cilat janë në rend të parë të kushtueshme”, thotë Osaj.

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024