Lajme
Largimi i katër kryetarëve të veriut | Osmani rrezikon shkeljen e Kushtetutës, jep shenja se do të shpall ‘rivotim’ që nuk ia parasheh Kushtetuta si kompetencë
Demokracia
16:33 | 04 Gusht 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë shenja të premten se do të shpall rivotim për të larguar kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës.

Të premten, ajo ka bërë një deklaratë, ku për herë të parë, procesin e largimit të kryetarëve shqiptarë nga katër komunat e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, e ka quajtur ‘rivotim’ dhe se sipas saj kjo nuk ka të bëjë asgjë me ‘referendum’.

“Iniciativa për largimin e kryetarëve tashmë është e paraparë me ligj, pra ekziston një ligj që ua njeh qytetarëve të të gjitha komunave të drejtën që përmes peticionit dhe pastaj rivotimit ta largojnë një kryetar komune përmes votës. Pra nuk është referendum, quhet kategori e largimit të kryetarit përmes procesit të rivotimit”, ka thënë Osmani.

E gjithë kjo do të bëhej e mundur pasi të përfundojë procesi i hartimit të Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

“Sapo të krijohet baza ligjore, qytetarët e këtyre komunave do të mund ta dorëzojnë peticionin. Ky peticion duhet të vijë nga trupa votuese, nga votuesit e regjistruar”, ka thënë Osmani.

Por, shpallja e rivotimit nuk parashihet askund në kompetencat e Presidentes së Republikës së Kosovës. Kjo mund ta bëjë mjaft problematike këtë çështje nga aspekti ligjor.

Kushtetuta e Kosovës i ka dhënë të drejtë Presidentit të Republikës së Kosovës (Neni 84, paragrafi 3) të shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

 

Ndërkaq, Ligji për Zgjedhjet Lokale i jep të drejtë Presidentit të Kosovës (Neni 4, paragrafi 1) që të shpall datën e zgjedhjeve pas konsultimit me partitë politike.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar së fundmi në Kuvendin e Kosovës, KQZ-ja mund të urdhërojë përsëritjen e votimit në një qendër votimi apo në një komunë.

“Para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, KQZ-ja mund të urdhërojë rinumërimin e votave në cilindo vendvotim, qendër të numërimit ose edhe përsëritjen e votimit në një qendër votimi apo në një komunë”, thuhet në nenin 106 të ligjit.

Më 31 korrik 2023, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023. /GazetaBlic

Të ngjashme