Intervista
Largimet e futbollistëve, përforcimet në janar dhe e ardhmja e trajnerit Panadiq, flet presidenti i Ferizajt
Demokracia
14:23 | 08 Dhjetor 2022

Share:

Përkundër organizimit të mirë që mbretëron te klubi i futbollit Ferizaj, ecuria e skuadrës së rikthyer këtë edicion në elitën e futbollit kosovar nuk është e mirë. Ekipi “bardhekaltër” e ka përfunduar stinorin pranveror në pozitën e fundit me 13 pikë të grumbulluara pas 18 ndeshjeve të zhvilluara.

Operacioni “fshesa” tanimë ka nisur te Ferizaj. Që nga 1 dhjetori deri më tani janë konfirmuar gjashtë largime të futbollistëve, ndërsa sipas informacioneve largimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

Presidenti i klubit, Lulzim Abazi në një intervistë për Demokracia.com ka thënë se lojtarët e larguar nuk kanë qenë në planet e trajnerit kroat, Andrej Panadiq.

Lojtarët që janë larguar nuk ka qenë kërkesë e tyre. Lojtarët që kemi njoftuar se janë larguar nuk kanë qenë në listën e trajnerit, pasi kemi pasur mungesë të rezultateve”, ka thënë i pari i klubit, Lulzim Abazi të enjten për Demokracia.com.

Abazi ka premtuar përforcime në afatin kalimtar të janarit, duke konfirmuar bisedimet me disa futbollistë.

Pas largimit të tyre ne normalisht se do të sjellim përforcime në merkaton e janarit. Jemi në bisedime me lojtarë të ndryshëm”, vazhdoi Abazi.

I pyetur nëse trajneri kroat do të vazhdojë të jetë pjesë e Ferizajt edhe në stinorin pranveror, Abazi u shpreh optimist.

Besoj që do të vazhdojmë me trajnerin edhe në stinorin pranveror”, nënvizoi kryetari i klubit.

Nga Ferizaj deri më tani janë larguar zyrtarisht: Gentian Emini, Gezim Rusi, Qlirim Kashtanjeva, Edmond Salihu, kapiteni Florim Berisha dhe Elbasan Thaqi./Demokracia.com/

Të ngjashme