Pas largimeve masive të serbëve nga Policia e Kosovës dhe gjyqësori, një hap të tillë nesër do ta ndërmarrin të gjithë serbët që janë të punësuar në institucionet tjera të Kosovës, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për shuarjen e të ashtuquajturës “Civilna Zastita”.
Demokracia.com e ka siguruar një e-mail të dërguar nga ‘centaroioleposavic’ në adresë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, ku janë të sistemuar ish-pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile”, pas arritjes së Marrëveshjes në Bruksel në vitin 2013.
“Të nderuar, përmes kësaj rruge ju njoftojmë se më datën 09.11.2022 në orën 11 të dërgoni përfaqësuesin tuaj nga Ministria – Agjencia në Komunën Mitrovica Veriore, për arsye të marrjes së deklaratave për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të pjesëtarëve të integruar të ish “Mbrojtjes Civile” me Marrëveshjen e Brukselit, që ka shkuar përmes Ministrisë tuaj – Agjencisë”, thuhet në e-mail që sot “Centar OiO” i ka dërguar të gjitha institucioneve ku punojnë këta pjesëtarë që dikur njiheshin edhe si formacioni famëkeq “Rojat e Urës”, përcjell Demokracia.com.
Pas tensioneve në veri të shkaktuara për shkak të vendimit për regjistrimin e veturave me targa legale në RKS, Lista Serbe të shtunën mori vendim që serbët e punësuar në institucionet e Kosovës të largohen dhe t’i dorëzojnë dorëheqjet. Fillimisht, këtë e bënë 576 policë në pjesën veriore, të pasuar nga gjyqtarët, prokurorët dhe deputetët e Listës Serbe. /Demokracia.com/