Sport
Laporta nuk ndalet, kritikon projektin e Superligës Evropiane
Demokracia
12:00 | 08 Tetor 2022

Share:

Joan Laporta pranoi, në një intervistë dhënë për projektin “Sonora”, se formula e Superligës Evropiane, me klubet e mëdha evropiane që rregullisht përballen me njëri-tjetrin, do të përfundonte duke i lodhur tifozët.

Presidenti i Barcelonës, po ashtu, shpreh shqetësimin e tij për dëmin që ky kompeticion mund t’iu shkaktojë ligave kombëtare, duke miratuar (paradoksalisht) argumentet e kritikëve ndaj një turneu të tillë, të cilin Barcelona ende e kryeson së bashku me Real Madridin dhe Juventusin.

Në bisedën e mbajtur, presidenti i Barçës nuk i është shmangur çështjes dhe ka shfaqur mendimin e tij, në kundërshtim edhe me mungesën e meritokracisë së projektit të paraqitur, i kritikuar gjerësisht nga të gjithë sektorët: “Unë kam hyrë në Superligë si përfaqësues i Barçës me gjithçka tashmë të avancuar mirë. Kriteret e mia ishin që të bënim një Superligë të hapur, sepse futbolli përparon me meritokraci. Dhe një gjë tjetër që duhet të bëjmë, të kombinojmë Superligën me ligat e çdo vendi. Për mua kjo është shumë e rëndësishme. Unë besoj në ligat e çdo vendi dhe për mua do të ishte gabim që Superliga t’i zëvendësojë ato”.

Presidenti i Barçës shkon më tej kur bëhet fjalë për vlerësimin se çfarë mund të thotë përkeqësimi i ligave kombëtare: “Unë mendoj se të luash me klubet e mëdha do të ishte gjithmonë e lodhshme. Do të përfundonte duke u lodhur.

Gjithkush prej nesh, që e do futbollin, do të përfundonte duke u lodhur. Është mirë dhe e shëndetshme që një ekip më i vogël mund të madhin. Ju e kuptoni se një Kampionat Evropian fitohet edhe nga Greqia, çka është shumë bukur. Edhe kur Leicester fitoi titullin në Angli ishte diçka shumë e veçantë. Ky është futbolli”.

Duke këmbëngulur në rëndësinë e garave kombëtare, Laporta megjithatë mbron konkurrencën që vetëm Barcelona, Real Madridi dhe Juve e mbajnë gjallë. Ai ka në mendje: “Një Superligë që do të jetë një Ligë e Kampionëve e përmirësuar. Me një format shumë të mirë garash, sigurisht që do të jetë kompeticioni më tërheqës në botë. Por në të njëjtën kohë duhet të jesh i aftë për të mbajtur ligat shtetërore, kjo është thelbësore”.

Presidenti blaugrana konsideron se e ardhmja e këtij projekti varet nga mirëkuptimi mes të gjitha palëve.

Të ngjashme