Ylli belg i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne, ka luajtur sonte ndeshjen e tij të fundit në stadiumin Etihad, duke mbyllur një epokë të artë që zgjati plot 10 vite me Citizens.
Mesfushori 33-vjeçar ka qenë një nga figurat kyçe në sukseset e klubit, duke u shndërruar në një legjendë të vërtetë për skuadrën e kaltër nga Manchesteri.
De Bruyne kishte njoftuar më shumë se një muaj më parë se do të largohej nga klubi në fund të sezonit, dhe sonte ai i dha lamtumirën tifozëve në një mbrëmje emocionuese në Manchester.
Manchester City fitoi ndaj Bournemouth 3-1 në xhiron e parafundit të Ligës Premier, por e gjithë vëmendja ishte te ylli belg .
Para ndeshjes, De Bruyne hyri në fushë i shoqëruar nga tre fëmijët e tij, djemtë Mason Milian dhe Romeo, si dhe vajza Suri.
Tifozët e Manchester Cityt i kushtuan De Bruyne një koreografi madhështore, duke krijuar një atmosferë të veçantë në Etihad për të nderuar një nga ikonat më të mëdha të historisë së klubit duke shpalosur një fotografi gjigante dhe duke shkruar “Mbreti Kev”.
Gjatë qëndrimit të tij në City, De Bruyne ka zhvilluar 420 ndeshje, ka shënuar 108 gola dhe ka dhuruar plot 177 asistime, statistika që e vendosin mes më të mirëve të gjeneratës së tij.
33-vjeçari me Cityn ka fituar 18 trofe, duke përfshirë 6 Liga Premier, një Ligë të Kampionëve, një Kupë bote për klube, 2 FA Cup, 3 Kupa të Ligës dhe 3 Superkupa angleze.
Për të ardhmen e tij ka pasur shumë spekulime. Së fundmi është përmendur një interesim nga Liverpooli, ndërsa më herët ishte raportuar për një mundësi transferimi në Arabinë Saudite, por edhe në SHBA. /Telegrafi/