Lajme
Lama ironizon: Nëse Specialja vlerëson se UÇK-ja ka qenë ndërmarrje kriminale, shqiptarët duhet t’i kërkojnë falje Millosheviqit
Demokracia
21:32 | 04 Prill 2023

Share:

Ish-gjenerali i Ushtrisë Shqiptare, Kudusi Lama, duke ironizuar ka thënë se nëse Gjykata Speciale do ta vlerësojë që UÇK ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, atëherë shqiptarët duhet të ulen në gjunjë për t’i kërkuar falje Millosheviqit që e kanë shqetësuar.

“Duhet t’i thonë hajde merre Kosovën se paskemi gabuar rëndë”, u shpreh Lama.

“Nëse Gjykata Speciale do ta vlerësojë që UÇK-ja paska qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, atëherë del një problem shumë i thjeshtë, të gjithë shqiptarët duhet të bien në gjunjë dhe t’i kërkojnë falje Millosheviqit që e kanë shqetësuar dhe kanë luftuar. Unë jam kryelartë për ata burra që janë në Hagë. Unë këta i kam njohur në frontin e luftës, duke e kryer detyrën e tyre ndaj atdheut”, deklaroi Lama në Tëvë1.

Madje, Lama thotë se prokurorët e Gjykatës Speciale, kanë sjellë nga shtetet e tyre shembullin për krim të organizuar.

“Me sa kam kuptuar unë, këta prokurorët janë ngatërruar me vetveten. Meqë vinë nga shtete të ndryshme, kanë parë organizime të krimit, mafies dhe duan ta etiketojnë sipas shembullit të vendit të tyre. Nuk është se gjetën tek ne diçka të re, e sjellin përvojën nga vendi i tyre dhe përpiqen ta montojnë tek ne”, u shpreh më tej Lama.

Ndër të tjerash, Lama vlerësoi që dështimi ka filluar nga largimi i Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, Jack Smith, nga rastet e hetimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.

“Absolutisht është arratisur nga detyra, u arratis nga ajo që montoi për të mos qenë pjesë e dështimit”, u shpreh Lama.

Të ngjashme