Portieri i Portos dhe i Kombëtares së Portugalisë në hendboll, Alfredo Quintana ka vdekur në moshën 32-vjeçare. Quintana kishte pësuar sulm në zemër të hënën, ndërsa vdiq të premten.
“Komuniteti ndërkombëtar i hendbollit ka humbur njërën prej figurave më të dashura. I hareshëm dhe besnik, Quintana, i lindur në Kubë dhe i gjatë 201 cm, ka qenë pjesë kyçe e udhëtimit të Portos drejt nivelit më të lartë të hendbollit. Ai erdhi në Evropë në vitin 2010”, thuhet në njoftimin e Federatës Evropiane të Hendbollit.
Quintana kishte luajtur për Kubën në Botërorin 2009, ndërsa u bë i rëndësishëm te Portugalia pasi mori shtetësinë portugeze në vitin 2014. Ai ndihmoi Portugalinë që të marr rezultatet më të mira, vendin e gjashtë në Evropianin 2020 dhe vendin e dhjetë në Botërorin e këtij viti. /Demokracia.com