Lajme
Zjarr në burgun e Hajvalisë, të burgosurit nxirren jashtë
Demokracia
23:01 | 06 Dhjetor 2023

Share:

Mbrëmjen e sotme, një zjarr ka kapluar njërën prej dhomave të Qendrës së Paraburgimit në fshatin Hajvali të Prishtinës.

Demokracia.com ka mësuar se punonjësit e kësaj qendre janë detyruar t’i nxjerrin në oborr personat që po mbahen në paraburgim aty.

Sipas burimeve të Demokracia.com, brenda kësaj qendre, zjarri ka ndodhur në bllokun B2.

Pas kësaj, punonjësit e qendrës së paraburgimit kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë sigurimin përreth burgut, që të mos largohet ndonjëri nga personat që po mbahen aty.

Fatmirësisht, zjarri nuk ka qenë i madh dhe nuk ka shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha.

Ndryshe, Qendra e Paraburgimit në Hajvali është institucion korrektues i tipit të mbyllur, e cila shërben për ekzekutimin e masës së paraburgimit të shqiptuar nga gjykatat.

Destinimi parësor i QP-Prishtinës është: Pranimi, Akomodimi dhe Trajtimi i të Paraburgosurve të moshës madhore të të gjitha kategorive.

Destinimi dytësor i QPPR-së është: Pranimi i një numri të të dënuarve për punë dhe aktivitete për nevoja të institucionit. Si Pilot-Projekt i veçantë i SHKK-së, brenda ambienteve të QP-Prishtinës është edhe Qendra për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve, e cila ka për qëllim vlerësimin e rrezikut dhe nevojave, si dhe klasifikimin e të burgosurve.

Nëpër procesin e vlerësimit në këtë qendër kalojnë të gjitha pranimet e reja, qofshin të dënuar apo të paraburgosur.

Kapaciteti i kësaj qendre është rreth 300 shtretër. /Demokracia.com/

Të ngjashme