Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia nesër do t’i përgjigjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Ai në tubimin parazgjedhor në Kikinda tha se tema e seancës së Këshillit për Siguri Kombëtare do të jetë për të gjitha pasojat e luftës në Ukrainë dhe gjithçka që po ndodh në Evropë dhe në botë, transmeton Demokracia.com.
“Prisni gjithçka, sot Qeveria e Malit të Zi, e jo Gjukanoviq, ndaloi votimin në Berane dhe në disa vende për zgjedhjet tona, Qeveria e Kurtit kërkoi të njohim pavarësinë e Kosovës për të organizuar votimin. Kurti do të marrë përgjigje, e dini çfarë përgjigjen do ta marrin, përgjigjen e njerëzve seriozë dhe të përgjegjshëm, por do të ketë pasoja të mëdha”, tha ai.
Vuçiq ka paraqitur parashikime të këqija për vazhdimin e konfliktit në Ukrainë dhe ka vlerësuar se nuk përjashton konflikte shumë më të mëdha se vetëm dy vende.
“Duhet të bëjmë çmos që njerëzit e papërgjegjshëm të mos na tërheqin në diçka të tillë”, përfundoi ai.
Kujtojmë, nesër në orën 12 është seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
Temat, sipas mediave serbe, do të përfshijnë refuzimin e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë (më 3 prill), kërcënimet me sanksione ndaj Serbisë dhe marrëdhëniet me NIS (industrinë e naftës) dhe furnizimin me naftë për tregun serb. /Demokracia.com/