Futbolli kosovar në zi. Ish-futbollisti ferizajas, Arben Dubova ka ndërruar jetë.
Lajmi është bërë me dije nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Përmes një telegrami ngushëllimi, FFK-ja ka shprehur ngushëllime për familjen Dubova.
Njoftimi i plotë:
“E nderuara Familje Dubova!
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të më të dashurit tuaj Arben Dubova, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të Kosovës, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta.
Arben Dubova ishte në mesin e atyre që dha kontribut të madh për futbollin ferizajas dhe në përgjithësi atë kosovar. Ai asnjëherë nuk iu nda futbollit, derisa gjatë karrierës së tij u shqua si lojtar i spikatur dhe vetëmohues në fushën e gjelbër.
Arbeni ishte aktiv edhe në ekipin e veteranëve të Ferizajt, teksa vlerat e lojës më të popullarizuar tek ne i transmetoi edhe tek brezat e rinj.
Arbeni ishte një i pasionuar pas futbollit, derisa njihej për virtyte të larta njerëzore e sportive dhe ndër punëtorët më të dalluar sportivë në rajonin e Ferizajt.
Ikja e tij e hershme është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për sportin kosovar, andaj familja e madhe e futbollit gjithmonë do ta kujtojë kontributin e tij.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!“./Demokracia.com/