Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takua në Beograd me përfaqësuesin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
“Takim me Miroslav Lajçak, përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Vuçiq në Instagram bashkë me një fotografi të përbashkët, transmeton Demokracia.com.
Vuçiq u takua me Lajçak në një kohë kur tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës u rritën sërish për shkak të mosmarrëveshjeve për riregjistrimin e detyrueshëm të automjeteve me targa serbe në ato të Kosovës.
Mosmarrëveshja për targat u përshkallëzua sërish ditët e djeshme, kur Lista Serbe, njoftoi për mundësinë e largimit të të gjithë serbëve nga institucionet e Kosovës për shkak të suspendimit të drejtorit të Drejtorisë Veriore Rajonale të Policisë së Kosovës, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për paralajmërimin e pronarëve të automjeteve me targa serbe.
Temë e bisedës mes Vuçiqit dhe Lajçakut me gjasë do të jetë përgjigja e Serbisë ndaj Bashkimit Evropian për propozimin gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili i është dorëzuar Brukselit.
Vuçiq ka bërë të ditur se nesër do të marrë pjesë në seancën e Qeverisë së Serbisë, ku do të diskutohet për situatën në Kosovë. /Demokracia.com/