Janë shtyrë tri ndeshjet e ditës së mërkurë të javës së 15-të kampionale në Superligën e Kosovës në futboll.
Kjo për shkak se të mërkurën në Kosovë është ditë zie pas aksidentit tragjik në Bullgari, ku humbën jetën shumë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, shkruan Demokracia.com.
Drenica-Llapi, Ballkani-Malisheva dhe Gjilani-Drita ishin paraparë të luhen të mërkurën nga ora 13:00.
Kështu ka bërë të ditur edhe Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi.
“Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë njofton klubet dhe opinionin e gjerë se duke u bazuar në nenin 19 të Rregullores së Garave, ndeshjet e javës së 15-të në BKT Superligë, të parapara për t’u zhvilluar të mërkurën, shtyhen për ditën e enjte për shkak të shpalljes ditë zie në Republikën e Kosovës pas aksidentit tragjik në Bullgari, ku humbën jetën shumë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com