Sport
Lajmi i fundit: Shqipëria mund të fitojë ndeshjen me Anglinë në tavolinë
Demokracia
20:19 | 01 Shkurt 2021

Share:

Shqipëria mund të fitojë në tavolinë ndeshjen e parë me Anglinë, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”.

Shkak për këtë bëhen vendimet në Britaninë e Madhe, për parandalimin e Koronavirusit. Në Angli po përgatiten për një ligj, që do përkufizonte lëvizjet jashtë vendit, për të ndaluar përhapjen e COVID-19.

Është propozuar së fundmi së kushdo që futet në Angli në muajt e ardhshëm, duhet të futet në një karantinë 10-ditore, e njëjta që vlen edhe për ata që dalin nga ky vend dhe rikthehen sërish. Përjashtim këtu nuk bëjnë as ekipet e futbollit, të cilët nëse dalin jashtë vendit, kur të kthehen janë të detyruar të karantinohen për 10 ditë.

Në listën e propozuar, janë 33 vende, ndër to edhe Shqipëria, ku personat që futen nga këto vende duhet të karantinohen, dhe sigurisht diçka e tillë do i detyronte klubet që të mos lejonin lojtarët e tyre të shkonin te Kombëtarja, shkruan “Panoramasport”, përcjell “Demokracia.com”.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë është planifikuar të zhvillohet më 28 mars të këtij viti në Shqipëri dhe në rast se do të merret vendimi i propozuar, atëherë rrezikon që Anglia ta humbasë ndeshjen me Kombëtaren kuqezi në tavolinë.

Gjithashtu pjesë e 33 vendeve ku do karantinohen, janë edhe Polonia me San Marinon, por ndeshjet me këto dy kombëtare Anglia i ka brenda, dhe do të duhej karantinim i Polonisë dhe San Marinos kur të futeshin në Angli, diçka që duket thuajse e pamundur dhe mund të merret një vendim drastik. /Demokracia.com

Të ngjashme