Lajme
LAJMI I FUNDIT: Arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë
Demokracia
18:05 | 27 Gusht 2022

Share:

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.

Borrell në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se Serbia në Bruksel ka rënë dakord që të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës, përcjell Demokracia.com

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”, ka shkruar Borrell.

Më tej Borrell ka shkruar se Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me letërnjoftimet e tyre.

“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”, tha tutje Borrell.

Kujtojmë se të shtunën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi mund të pranojë që qytetarët e Kosovës të lëvizin nëpër Serbi me dokumentet e tyre të identifikimit, por me një kusht, në vendkalimet kufitare duhet të vihet një shënim që shpjegon se kjo bëhet për arsye praktike dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme