Lajme
Lajm i keq| Le Pen që e urren Kosovën dhe adhuron Putinin del e para në sondazhet për presidente të Frances
Demokracia
20:15 | 07 Prill 2022

Share:

Marine Le Pen, kundërkandidatja e presidentit francez, Emmanuel Macron, ka marrë mbi 50 për qind të përkrahjes së qytetarëve, në një sondazh të fundit. Udhëheqësja e Frontit Kombëtar njihet si adhuruese e Vladimir Putinit, derisa pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë.

Francezët më 10 prill 2022 dhe 24 prill 2022, do të kenë mundësinë që në dy raunde të votojnë për zgjedhjen e presidentit të ri, raporton Demokracia.com.

Europe Elects, një prej burimeve kryesore për sondazhe dhe të dhëna zgjedhore në Europë, ka publikuar rezultatet lidhur me të preferuarin e qytetarëve të Francës për president.

Marine Le Pon, politikanja franceze, ia ka dalë që të marrë 50.5 për qind të përkrahjes në këtë sondazh, duke e lënë pas presidentin aktual, Emmanuel Macron, më 49.5 për qind.

Në rast të fitores së saj, kjo përbën lajm të keq për Kosovën, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, përcjell Demokracia.com.

Franca deri tani ka mbajtur një rol të balancuar sa i përket çështjes së Kosovës, por Marine Le Pen vazhdimisht e ka shfaqur përkrahjen ndaj Serbisë, duke pretenduar se “Kosova është Serbi”.

Disa vite më parë, raportohej se Le Pon kishte deklaruar që “Kosova është tokë e shenjtë krishtere e Serbisë, e cila është pengesa e fundit për krijimin e një shteti të ri islamik në Europë”.

Një numër i madh i diasporës kosovare, jetojnë në Francë, në rast të zgjedhjes së Le Pon presidente ajo do ta ndalojë plotësisht imigrimin, përcjell Demokracia.com.

“Dua ta ndaloj imigrimin, qoftë legal apo ilegal”, kishte deklaruar ajo.

Pikërisht në kohën kur Rusia po tenton ta pushtojë Ukrainën duke kryer masakra atje dhe krime të rënda që po tenton t’i fsheh, vlen të theksohet se Le Pon kishte deklaruar se “e adhuron Putinin”.

“Po. E adhuroj kokën e ftohtë të tij. Është një luftë e ftohtë që po bëhet kundër tij nga Europa dhe SHBA-ja, e cila po mbron interesat e veta. E adhuroj që ia ka dalë ta rifitojë krenarinë për një shtet të mrekullueshëm që është poshtëruar për 70 vite”, kishte deklaruar ajo.

Kolegët partiakë të Le Pen, ditë më parë u panë në zyrën e politikanit serb në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik.

Ky i fundit, konsiderohet si kërcënimi më i madh për një konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor, ku disa herë e ka përmendur shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 06 Maj 2024