Lajme
Lajm FANTASTIK: Maturantët e Alban Hysenit sivjet pinë Coca-Cola dhe lexojnë libra në hotel, vitin e kaluar kishin rrezik të pinin alkool e drogë
Demokracia
18:19 | 08 Maj 2025

Share:

Vetëm një vit më parë, Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, paralajmëronte për rrezikun e ekskursioneve jashtë shtetit, nga frika se maturantët do t’i nënshtroheshin alkoolit dhe substancave narkotike. Sot, me zgjedhjet lokale pas pakë muajve, të njëjtit të rinj përshkruhen si model i edukatës që duhët të dërgohen në ekskursion, shkruan Demokracia.com.

Sivjet, Hyseni ka vendosur të mos i ndëshkojë më maturantët me aktivitete kulturore brenda qytetit, por t’i shpërblejë bujarisht me një ekskursion tre-ditor në Shqipëri. Ai e quan këtë një “LAJM FANTASTIK”, duke u vetëpërgëzuar publikisht në rrjete sociale. Njësoj sikur të kishte shpikur vaksinën kundër sjelljeve adoleshente.

“Kontrata u nënshkrua – Ekskursioni i maturës në Shqipëri, shpërblim i veçantë për çdo maturant të Gjilanit”, shkroi me plot emocion kryetari.

Kontrata në vlerë prej 99,846.00 euro është nënshkruar me kompaninë “Florim Talla BI”, ndërsa totali që Komuna e Gjilanit ka ndarë për këtë ekskursion, kap shifrën prej 157,950.00 euro për 1,161 maturantë.

Destinacionet janë: Durrësi, Vlora, Kruja dhe Tirana – qytete që vitin e kaluar prodhonin “substanca të rrezikshme”, por që sivjet, sipas logjikës zgjedhore, shërbejnë si “qendra të edukimit demokratik dhe kulturor”.

Programi përfshin vizita në Kalanë e Krujës, qytetin e Vlorës, Durrësin e vjetër dhe Tiranën. Të gjitha këto të ndërthurura me… mbrëmje muzikore pas darkës, me një pije të përfshirë.

Por edhe vetë procedura e tenderimit është interesante, vetëm 20 ditë garë, në vend të 40 sa kërkon ligji për kontrata të mëdha. Komuna thotë se duhej të nxitoheshin, sepse përndryshe maturantët do ta humbnin këtë mundësi historike për të parë Shqipërinë me sy.

157 mijë euro për ekskursionin e maturantëve, investim për nxënësit apo fushatë e maskuar

 

Ironikisht, në vitin 2024, Hyseni shkruante:

“Në bashkëpunim të plotë me këshillin e prindërve të komunës, kemi marrë vendim për ndalimin e ekskursioneve jashtë shtetit… për shkak të substancave narkotike, pijeve alkoolike, lëndimeve… dhe shpenzimeve të mëdha familjare”.

Sivjet, as substancat, as pijet, as shpenzimet nuk qenkan më problem. Tash, më gjasë maturantët janë aq të sjellshëm sa që do e mbyllin natën duke kënduar poezi të Ndre Mjedës pas një çaji kamomili në hotelin me 4 yje. E gjithë kjo, në vit zgjedhor.

Sipas logjikës së re të Kryetarit Hyseni, Gjilani nuk ka më nevojë për ndonjë investim urgjent në infrastrukturë, apo një plan të mirëfilltë për shëndetësinë publike. Prioritet mbetet që maturantët të pushojnë denjësisht në hotele me katër yje që të kthehen të freskët. dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e votës. /Demokracia.com/

Të ngjashme