Lajme
Lajçakut s’i pëlqen debati i opozitës në Kosovë, e barazvlerëson me radikalizmin opozitar në Serbi
Demokracia
21:18 | 03 Mars 2023

Share:

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i ka shpallur të barazvlefshme reagimet e opozitës në Kosovë dhe asaj në Serbi, derisa ka lartësuar përfaqësuesit e të dy shteteve në dialog, Kurtin e Vuçiqin.

Lajçak e ka minuar angazhimin opozitar të Kosovës, të cilët dje në Kuvendin e Kosovës e ballafaquan kryeministrin Albin Kurti me deklaratat e tij kundërshtuese për “Zajednicën” në të kaluarën, duke i barazuar me skenat që për pak sa prodhuan dhunë në Kuvendin e Serbisë, shkruan Demokracia.com.

“Shikoni, është e ndjeshme. Është super e ndjeshme. Unë e kuptoj se kjo shkon vërtet deri në fund të çështjeve të identitetit. Jam plotësisht në dijeni të debatit publik. E shoh që reagimi i opozitës, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, nuk është i dobishëm për dy liderët që të marrin këto vendime të rëndësishme, por ata të dy e dinë sa i rëndësishëm është ky propozim për marrëdhëniet e tyre për atmosferën rajonale, por edhe për rrugën drejt BE-së”, deklaroi emisari i BE-së në një intervistë për ‘Atlantic Council’.

Deputetët e bllokut të djathtë opozitar në Serbi iu vërsulën Vuçiqit për ta sulmuar fizikisht në seancën ku raportonte për planin evropian.

Krahu i djathtë ekstrem në Serbi e kishte kërcënuar edhe me vrasje presidentin serb, protestë kjo ku pjesëmarrës të saj vishnin simbolet e grupit mercenar rus ‘Wagner’.

Pushteti serb madje arrestoi zërin opozitar Damjan Knezheviq, i cili gjatë marshit protestues i udhëhoqi protestuesit të futen në Presidencën e Serbisë.

Ndërkaq, në Kosovë ishte vetë opozita që inicioi kërkesë që të flitej përpara Kuvendit për marrëveshjen që Kurti insistonte ta nënshkruante në Bruksel.

Lajçakut duhet rikujtuar se deputetët opozitarë në Kuvendin e Kosovës, seanca e të cilit u zhvillua pas orës 22:00 si shkak i “agjendës së ngjeshur” të Kurtit, prodhuan debat në frymën demokratike dhe nuk kishte asnjë incident. /Demokracia.com/

Të ngjashme