Sport
“Lajçaku e ka humbur kredibilitetin”, Mujanoviq: BE e butë ndaj Serbisë edhe pas 24 shtatorit
Demokracia
12:59 | 15 Tetor 2023

Share:

Agresioni i 24 shtatorit ndaj Kosovës i ngjanë shumë asaj që bëri Serbia në Kroaci dhe Bosnje, deklaron politologu boshnjak Jasmin Mujanoviq derisa thotë se shanset për konflikt janë më të mëdha se 10 vjet më parë. Kritik tregohet ndaj qasjes së butë të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Serbisë, derisa komisionerin evropian për zgjerim Oliver Varhelyi e quan “komisioner për zgjerim të Serbisë”.

Në intervistën për KosovaPress, shkencëtari i politikës dhe doktori i filozofisë në Universitetin e Nju Jorkut thekson nevojën për sanksionim të Serbisë nga BE-ja, porse është pesimist pasiqë thotë se shtetet si Hungaria po e pengojnë një gjë të tillë.

Mujanoviq flet për dialogun te cilin e konsideron funksionalisht të vdekur, derisa konsideron se emisari evropian Miroslav Lajçak e ka humbur kredibilitetin.

Në situatën e krijuar pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, Mujanoviq flet per domosdoshmërinë për sanksionim të Serbisë. Porse, thekson se fatkeqësisht ka shtete brenda BE-së që po bllokojnë politika të tilla.

Derisa ndërkombëtarët po theksojnë nevojën për respektim të marrëveshjes së Ohrit, politologu boshnjak thekson se është Serbia ajo që nuk e ka përfillur asnjëherë.

Mujanoviq flet edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për çka thotë se ndarja etnike nuk është në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

E pas agresionit serb ndaj Kosovës, Mujanoviq thotë se gjasat për konflikt janë më serioze sesa 10 vjet më parë.

Të dielën e 24 shtatorit Serbia kreu agresion ndaj Kosovës, në të cilin nga terroristët serbë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Bashkësia ndërkombëtare dënoi një sulm te tillë, por që Bashkimi Evropian ende nuk i ka vendosur sanksione Serbisë./kp

Të ngjashme