Lajme
Lajçak: Zbatimi i marrëveshjeve duhet të nisë sivjet, kalendari politik në Evropë dhe ShBA mund ta shtyjë në plan të dytë këtë agjendë
Demokracia
21:32 | 15 Shtator 2023

Share:

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se procesi i zbatimit të marrëveshjeve për normalizim raportesh në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të nisë sivjet, përndryshe do të dështojnë përpjekjet shumëvjeçare.

Sipas Lajçak, nëse nuk nis implementimi i marrëveshjes sivjet, kalendari politik i BE’së dhe ShBA’së mund ta shtyjë në plan të dytë këtë agjendë.
Lajçak është shprehur i bindur se Marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë.

“Nëse këto vendime fundamentale nuk bëhen deri në fund të vitit, kam drojë se kalendari politik në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë i tillë që do ta shtyjë në plan të dytë këtë agjendë. Jam i bindur që Marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e kanë pranuar dhe do të ishte e turpshme të prishej”, ka thënë ai, duke shtuar se pret që nëse ndodh ky dështim, në veri mund të ketë “më shumë tensione e ndoshta edhe dhunë”, ka thënë Lajçak në një intervistë për “TASR” në Sllovaki.

Ai e ka quajtur arritjen e marrëveshjeve në shkurt e mars si “pikë kthese” në dialog. Megjithatë, është ankuar për mungesë të nisjes së zbatimit. E ka përshkruar situatën me fjalët se “të dyja palët kanë shkallë të lartë mosbesimi në tjetrën”.

“Thonë, më jep atë që meritoj dhe më pas do të bëj atë që është e domosdoshme”, ka shtuar Lajçak. Ka thënë se kjo metodë nuk funksionon dhe se për këtë BE-ja ka propozuar një plan shtatëpikësh paralel.

“Për shembull, që Prishtina të nisë negocimin e garancive për serbët në veri të Kosovës dhe që Beogradi të nisë gradualisht përmbushjen e obligimeve të veta”, ka shpjeguar ai.

Sipas tij, ky propozim “është transparent dhe i matshëm”. “Mund të ndalet kurdo që njëra palë ndal përmbushjen e obligimeve të veta”, ka shtuar ai.

Të ngjashme