Lajme
Lajçak takohet me Dodik-un, të sanksionuarin e ShBA-ve
Demokracia
15:37 | 02 Mars 2024

Share:

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me Presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar.

Takimi është zhvilluar në margjinat e Forumit Diplomatik që u mbajt në Antalya të Turqisë, derisa lajmi është bërë i ditur n ga vetë Lajçak, përmes një postimi në platformën X.

Diplomati sllovak ka njoftuar se përveç me autoritarin Dodik, është takuar edhe me anëtarët e tjerë të presidencës trepalëshe (kroat, boshnjak dhe serb) të BeH-së, Denis Beçiroviç dhe Zheljko Komshiç.

“Më vjen mirë që pata rastin të takoj të tre anëtarët e Presidencës së BeH, si dhe Dodik-un në Antalya. Unë nënvizova rëndësinë thelbësore për të kryer reformat e nevojshme që BeH të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së në mars. Kjo është me interes jetik për të gjithë vendin”, ka shkruar Lajçak.

Ky takim i Lajçak-ut me Dodik-un, vjen pak ditë pasi që ky i fundit është takuar me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, në qytetin Kazan në Republikën e Tatarstanit – i cili është pjesë të Federatës Ruse.

Presidenti autoritar i RS-së i kishte thënë Putin-it se vendi që ai udhëheqë refuzon t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pavarësisht, siç thekson ai, “presioneve të përditshme”.

Dodik, presidentit rus i ka thënë edhe se vendi i tij nuk dëshiron të anëtarësohet në aleancën e NATO-s.

“Ne konfirmojmë marrëdhëniet e mira që RS ka dhe kultivon me shtetin rus dhe me ju. Ajo që po bëjmë në rrethanat aktuale është se ne refuzojmë çdo mundësi për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë”, ka thënë Dodik, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Ai ka potencuar se marrëdhëniet në BeH janë “të komplikuara” nga, siç pretendon ai, “fakti që ne jemi ende nën protektoratin e Perëndimit”, dhe ai përsëriti pretendimet e tij të mëparshme – për të cilat ai ka mbështetjen ruse – se Përfaqësuesi i Lartë aktual në BeH, Christian Schmidt, “nuk u emërua në atë detyrë me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Të ngjashme