Lajme
Lajçak sqarohet: 15 modelet që ia dorëzova Kurtit janë inspirim, jo alternativë
Demokracia
20:29 | 15 Mars 2023

Share:

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, të martën nga Beogradi është sqaruar për 15 modelet evropiane që ekzistojnë për të drejtat e pakicave nacionale e të cilat si dokument ja dorëzoi më 9 mars në Prishtinë, kryeministrit Albin Kurti.

Teksa foli në një intervistë televizive, Lajçak la të kuptohet se asnjë nga propozim-modelet e dorëzuara nuk do jenë bazë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

AKS-ja, sipas diplomatit sllovak duhet të krijohet në bazë të modelit që rrjedh nga ujditë që Kosova e Serbia i bënë për këtë çështje në Bruksel, në vitin 2013, përkatësisht 2015.

“Ne e kemi prezantuar njëlloj analize të 15 modeleve ekzistuese si inspirim e jo si alternativë. Këtu dua të jem shumë i qartë. Pra si inspirim që aty ku kërkohen përgjigje të caktuara, sepse marrëveshjet nga 2013 e 2015 ndoshta nuk mund të japim përgjigje në krejt pyetje”, theksoi emisari evropian duke folur për televizionin publik serb RTS.

Emisari shtoi se BE-ja është aty që të tregojë që Kosova s’ka nevojë për frikë me themelimin e një bashkësie dhe se në Evropë sipas tij ka plot modele që funksionojnë mirë.

Si kurrë më parë, ai u shpreh i prerë kur u pyet se a ka asociacion një dekadë pas nënshkrimit të parë derisa krijimin e AKS-së e lidh direkt me nënshkrimin e propozimit evropian.

“Dhjetë vjet nuk është përmbushur, por kësaj radhe kjo do të jetë. Sepse nuk do ta kemi atë marrëveshje pa bashkësinë, pra pa garanci që kësaj radhe do të bëhet ajo”, shtoi ai.

Lajçak tha se palët i pret procesi i angazhimeve në këtë çështje, siç është statuti i Asociacionit.

Nga ana e tij Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se modelet e prezantuara po trajtohen nga këshilltarët e tij e disa prej ministrave.

Kurti shtoi se ato janë modele nga të cilat mund të merren elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur.

Të ngjashme